Ish kryeministri dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi tha se kreu i qeverisë Albin Kurti ka zgjedhur rrugën e fshehjes dhe të ikjes.
Haradinaj u shpreh se Kurti është duke u fshehur edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden.
“Nuk besoj se një shqiptar ka arsye të frikësohet nga Biden, duke e ditur rrugën e tij dhe lidhjen me Kosovën. Pse flisni për palët, pse thoni ‘palët në dialog’. Fol për vete, ti je një palë. Fol për vete, shih kë e ke përballë. Kemi probleme serioze nga fshehja dhe ikja”, tha ai.
Ndër të tjera Haradianaj iu drejtua Kurtit duke ngritur pikëpyetjen se nga kush po ikën?
“Nuk e di a po ikë prej VV-së, ndaj kauzës së ndërtuar ndër vjet, nga ata që i ka ngritur në kauza deri në flijim. VV nuk e di a kupton më liderin e vet. Kam bindjen që është ka fshihet edhe nga opozita e sotme të cilën e ka cilësuar si tradhtare, të dëmshme dhe ka pas epitete të tjera për ta. A mos po fshihet edhe prej Serbisë. Mos Serbia ka ndonjë fuqi mbi kryeministrin tonë?”, tha ndër të tjera Haradinaj. /abcnews.al