Nga një shtatori qytetarëve të Kosovës do t’iu shtohet një kosto shtesë financiare pas regjistrimit të automjeteve. Ata do të detyrohen të paguajnë 4 euro e 90 cent shtesë për tiketën ngjitëse. Kjo pasi Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar marrëveshje me një kompani për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar ashpër kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka kërkuar nga qytetarët të protestojnë kundër këtij vendimi. Ndaj këtyre deklaratave të Haradinajt ka reaguar zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se “kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018 në kohën kur Qeveria udhëhiqej nga Ramush Haradinaj e Ministria nga Pal Lekaj”. “Kur ne kemi ardhur në Qeveri e kemi gjetur marrëveshjen të gatshme vetëm duhej të nënshkruhej. Tre muaj nuk e kam nënshkruar këtë marrëveshje derisa jam siguruar se është gjithçka në përputhje me ligjin dhe procedurat dhe se është interes i Kosovës.
Kam autorizuar auditim të komplet procesit dhe kam marr opinionet nga zyra ligjore e Kryeministrit dhe zyra ligjore e ministrisë. Të gjitha rekomandimet kanë qenë që duhet nënshkruar marrëveshja sepse në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet sepse kompania e fiton rastin në gjykata. Unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje me 8 qershor 2021”, ka shkruar Durmishi.
Megjithatë zëvendësministri i Infrastrukturës ka vlerësuar se kjo marrëveshje i sjell shumë të mira Kosovës.
“Tiketa ngjitëse ndikon në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion prandaj do të mundësoj që shumë shpejtë të arrijmë në pragun nën 5% të automjeteve të paregjistruara. Me këtë ne kemi përfitim si qytetarë sepse në njërën anë hiqet taksa prej 30 euro e në anën tjetër plotësojmë kriterin kryesor të aplikimit për kartonin e gjelbërt me të cilin përfitimet janë të shumta. Përfitim tjetër natyrisht që është edhe siguria rrugore sepse nuk do të kemi automjete pa kontrollë teknike e regjistrim në komunikacion e rrjedhimisht më pak aksidente”, ka shkruar mes tjerash Durmishi.