Haradinaj i është përgjigjur kreut të NATO-s duke thënë se ushtria do të formohet pasi është punë e brendshme e Kosovës. Ai fajësoi Serbinë për dështimet e Kosovës në anëtarësimin në INTERPOL dhe për tërheqjen e njohjeve.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj replikoi në distancë me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi ky i fundit kritikoi Prishtinën dhe planin për transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri. Shefi i qeverisë duke folur në parlament tha se këtë process nuk mund ta mohojë askush.
Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës: “Krijimi i ushtrisë apo mandatimi i ushtrisë javën që vjen është proces i brendshëm është në përputhje me kushtetutën tonë, më të avancuarën në botë. Një kushtetutë e cila përmban në vete të gjitha vlerat e demokracisë. Për formimin e ushtrisë kemi zhvilluar biseda intensive me të gjitha palët e interesuara. Aleanca e NATO-s ka peshë të madhe, ajo mund t’i shpreh mendimet e veta, mirëpo Kosova është e sigurt se asnjëherë nuk do t’i sjellë në rrezik marrëdhëniet me NATO-n”.
Më tej ai risolli në vëmendje edhe tarifën e vendosur për mallrat serbe që importohen në Kosovë.
“Unë kam qenë dje në Plemetin ku kam vizituar serbët. Do të shkoj në çdo vend të Kosovës që të tregoj që narrativi që i jepet nga Serbia është i rrejshëm dhe i viktimizon. Tek taksa 100 %, ju falendëroj për përkrahje, e di që e përkrahni me zemër, por edhe duhet të ndërtojmë një narrativ që Kosova të mos bie në planet e një krize humanitare. Nuk kanë mënyra të tjera por kanë një mënyrë që të krijojnë pasoja në planin humanitar që të na nxjerrin sikur ne nuk respektojmë nevojat njerëzore”.
Ndër të tjera Haradinaj tha se tërheqja e njohjeve, mos liberalizimi i vizave dhe mos anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare vijnë nga lobimi i Serbisë për të dëmtuar vendin. Ai ftoi të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit që t’i besojnë narrativës së Kosovës pasi është në interes të të gjithëve. /abcnews.al