Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në një konferencë për mediat deklaroi se nuk është koha për zgjedhje të reja, ndërsa theksoi rëndësinë e implementimit të rezultatit që prodhuan zgjedhjet e 6 tetorit. Sipas Haradinajt partitë politike duhet të respektojnë vendimin e sovranit. “Zgjedhjet kanë qenë më të mirat të mundshme. Ne duhet të bëjmë reformë zgjedhore, t’i shkurtojmë këto kohë të ankesave. Lidhur me atë se cila parti hyn në parlament është vendim i votuesve. Aleanca është në opozitë. Nuk kemi bërë ankesë, as s’kemi kërkuar stërzgjatje të këtij procesi”, tha Haradinaj.
Haradinaj vuri theksin te zgjedhjet e reja, duke u shprehur se është ende herët, pasi sipas tij e rëndësishme është që të bëhet reforma zgjedhore.
“Është herët të flitet për zgjedhje të reja, duhet të rrimë në pozicionin e implementimit të rezultatit zgjedhor. Nuk ka kuptim të flitet për zgjedhje tashmë. Nuk është një ushtrim i thjeshtë dhe i lehtë. Duhet të jemi të respektueshëm të asaj që ka vendosur sovrani”, tha ndër të tjera Haradinaj./abcnews.al