Parlamenti Europian ka dhënë mbështetjen për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Në raportin që mori votat e 459 eurodeputetëve, vendi ynë inkurajohet të finalizojë ngritjen e institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe të vijojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Parlamenti Europian ka votuar në seancë plenare rezolutën për Shqipërinë të raportuesit Knut Fleckenstein mbi progresin e vendit në integrimin europian për vitin 2018. Për rezolutën Fleckenstein është arritur një mbështetje me shumicë të gjerë: 459 vota pro, 112 kundër dhe 62 abstenime.Kjo rezolutë përshëndet progresin që është bërë nga Shqipëria në kuadër të 5 prioriteteve kyçe të përcaktuar nga Komisioni Eurooian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit. Rezoluta nënvizon veçanërisht fillimin e procesit të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Vetting, duke e konsideruar si fryt të parë të domosdoshëm të zbatimit të reformës në drejtësi. Raporti kërkon ngritjen e institucioneve të reja të pavarura në arkitekturën e re të drejtësisë, si edhe rezultate të mëtejshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit para hapjes së negociatave të qershor të 2019. Reportuesi Fleckenstein ka përfshirë gjithashtu edhe nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore para zgjedhjeve lokale të 2019.
Knut Fleckenstein: “Shpresojmë që Këshilli i Ministrave do t’i mbahet fjalës së tij për hapjen e negociatave verën e ardhshme. Çdo gjë tjetër do të ishte kundraproduktive dhe do të ishte e pakuptimtë, pasi do të cënonte stabilitetin e gjithë rajonit. Refoma e drejtësisë ka filluar të japë rezultatet e para, por kërkohet vijimi i saj si edhe rezultate të mëtejshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ndër çështjet urgjente do të radhisja realizimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR që duhet të përfundojë para zgjedhjeve lokale të 2019”.
Karoline Edtstadler: “Shqipëria ka bërë hapa përpara për përmbushjen e 5 prioriteteve. Këto janë sinjale pozitive, që tregojnë se vendi është në rrugën e duhur dhe ne e inkurajojmë që të vazhdojë përpjekjet. Strukturat e pavarura të sistemit të drejtësisë të parashikuara nga reforma kushtetuese duhet të finalizohen”.
Parlamenti Europian, Këshilli i Ministrave dhe Komisioni Europian i kërkojnë liderëve politikë në Shqipëri që të kapërcejnë mosmarrëveshjet e brendshme dhe të bashkojnë forcat për integrimin europian./abcnews.al