Hapet ura e Tapizës, Balluku: E mbaruam para afatit, kreu i ARRSH: Në Shtator nis puna për urën e Viroit

schedule15:42 - 16 Shkurt, 2022

schedule 15:42 - 16 Shkurt, 2022

Hapet për qarkullimin e automjeteve Ura e Tapizës në aksin rrugor Tiranë-Fushë Krujë. E pranishme ishte ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.

Ajo deklaroi se pas kësaj ure radhën e ka ura e Viroit e cila përmbytet shpesh herë për shkak të prurjeve të shumta në lumë. Balluku e cilësoi urën e Tapizës një tjetër projekt të dorëzuar brenda afateve.

“Për shkak të amortizimit dhe tërmeteve të vitit 2019 na është dashur që këtë skanim ta përshpejtojmë dhe kemi marrë të dhënat e këtij projekti. Kemi marrë të dhënat për 9 urat me më shumë rrezik dhe kemi nisur me urën e Tapizës.

Ura e Viroit lidh një aks kombëtar dhe për shkak të prurjeve të Drinos shpesh herë përmbytet. I kemi dhënë prioritet asaj ure. Jo vetëm urat që kanë probleme por edhe ato ura që i shërbejnë akseve kryesore kombëtare janë ndërtuar në një kohë të shpejtë. Kemi pasur si kriter jo vetëm sigurinë por shërbimin që ato kryejnë.

Ia dolëm të dorëzojmë edhe një punë tjetër të rëndësishme para afatit. Që qytetarët të kenë mundësinë për të kaluar në rrugë cilësore. Tani me planin e madh për të vazhduar me rikonstruksionin e urave ekzistuese të cilësuara me më shumë rrezik”, u shpreh Balluku.

Ndërsa drejtori i ARRSH Evis Berberi shpjegoi se ura e Viroit do të nisë punimet brenda muajit shtator.

“Kjo është një urë 120 metra me gjerësi 12.5 metra. 10.5 metra është asfalt pjesa tjetër është trotuari. Ky aks është shumë i rëndësishëm sepse kemi fluks trafiku shumë të madh nga veriu në drejtim të Tiranës. Për këtë arsye kemi hapur Bypass që ka qenë i përkohshëm.

Ura e Viroit parashikohet të nisim punimet brenda muajit shtator. Me vazhdimin e procedurave brenda qershorit bëjmë paketën e plotë dhe hapim procedurat. Nëse procedurat mbarojnë më shpejt punimet mund të nisin edhe në fillim të muajit gusht”, deklaroi ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!