Hapet tregu i gjelave të detit në Baldushk, Veliaj: Blini këtu dhe ndihmoni një familje të zonës

schedule15:41 - 22 Dhjetor, 2022

schedule 15:41 - 22 Dhjetor, 2022

Në prag të festive të fundit të vitit, të enjten në Baldushk u hap tregu tradicional i gjelave të detit. Konsumatorët do të gjejnë në këtë treg rreth 45 mijë shpendë të zonës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftoi qytetarët të blejnë gjelin në këtë treg për të ndihmuar ekonominë lokale.

“Kur dikush blen një gjel nga Baldushku ose nga fermat e katundet tona, nuk ka blerë vetëm vaktin e Vitit të Ri, ka blerë gjithashtu edhe librat e shkollës së një goce të vogël, ka blerë atletet e një çuni të vogël, që do shkojë në stërvitje, i ka blerë tjegullat një familjeje që do rregullojë shtëpinë, i ka blerë plastmasin një fermeri që do rregullojë serrën; pra, ka kontribuar vërtet me solidaritet në një zinxhir të madh, që ngre lart shumë prej familjeve që i kushtojnë 51 javë të vitit këtij procesi dhe kanë vetëm një javë ku mund të shesin dhe mund të rikuperojnë gjithë mundin dhe gjithë djersën e tyre”, tha Veliaj.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural  synon  markimin e gjelit të Baldushkut duke e regjistruar si produkt autokton.

“Më vjen shumë mirë që ky treg është bërë traditë e çdo fundviti, sepse gjeli i Baldushkut përbashkon familjet shqiptare. Gjeli i Baldushkut do të jetë në programet tona të punës, për t’i dhënë edhe shumë vlerë, duke e regjistruar si produkt, si një markë cilësie. Këtu do të jenë veterinerët tanë. Më vjen mirë të konstatojmë prej tyre se nga analizat e bëra nuk ka pasur asnjë mbetje antibiotikësh në produkt”, shtoi ai.

Ky është viti i gjashtë që në prag të festave  në Baldushk hapet  tregu i gjelit të detit. /abcnews.al

 

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!