Hapet mensa e 7 sociale në Tiranë për personat në nevojë

schedule13:47 - 23 Tetor, 2018

schedule 13:47 - 23 Tetor, 2018

Numrit të mensave sociale në kryeqytet i shtohet edhe ajo më e reja në njësinë 7. Në hapjen e saj kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Tirana është solidare si asnjëherë më parë, me personat me vështirësi ekonomike.

Tre vjet më parë nuk mendohej që Tirana mund të kishte këtë klimë solidariteti ndaj njerëzve në nevojë, por sot falë politikave sociale të Bashkisë së Tiranës, çdokush në kryeqytet e ka të sigurtë një strehë dhe një vakt të ngrohtë. Pas rikonstruksionit të 3 mensave sociale ekzistuese dhe hapjes nga e para të tre të tjerave, kryeqytetit i është shtuar edhe një mensë e re në Njësinë 7.

Në hapjen e mensës së re mori pjesë kryetari i Bashkisë Tiranë, Veliaj dhe kreu i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Alushi të cilët shërbyen së bashku drekën për të moshuarit dhe personat në vështirësi ekonomike të njësisë 7. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se kjo mensë do jetë një tjetër histori suksesi, e cila u vjen në ndihmë njerëzve të pamundur.

Veliaj nënvizoi faktin se pavarësisht punës së përditshme dhe misionit të përhershëm të institucioneve shtetërore për t’u përballur me varfërinë dhe nevojat e njerëzve me aftësi ndryshe, është e rëndësishme edhe ndihma e partnerëve të tjerë, qofshin këta individë apo organizata të ndryshme, si Kryqi i Kuq.

Nga ana tjetër kreu i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Alushi shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën e dhënë, e ndërsa theksoi se projekti i kësaj qendre sociale do jetë afatgjatë.

Sipas Bashkisë Tiranë, sot qyteti ka një rrjet të tërë të mensave dhe qendrave sociale, që janë të gatshme të përballojnë çdo emergjencë nga personat në nevojë.

Aktualisht në Tiranë funksionojnë 7 mensa sociale që ofrojnë një vakt të ngrohtë për personat në pamundësi ekonomike, ndërsa në to mund të marrin shërbim 800 vetë në ditë nga 150 që ishte në 2015./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!