Paraditen e kësaj të hëne ka nisur numërimi i 526 kutive të votimit të 14 Majit, rreth 10 përqind të kutive të zgjedhjeve për bashkitë, për të kontrolluar nëse votat janë numëruar dhe lexuar ashtu siç qytetarët e kanë shprehur vullnetin e tyre, apo komisionerët kanë abuzuar duke e deformuar vullnetin e tyre.
“Këto kuti janë zgjedhur përmes një shorti, i cili përfaqëson çdo bashki të mundshme. Qëllimi është që të verifikohet nëse ka pasur abuzime nga ana e numëruesve, nëse është deformuar vullneti i zgjedhësve. Qëllimi është që kur është vënë kjo barrierë ligjore në vitin 2021, të dekurajohet vjedhja e votave. Pra, komisionerët dhe numëruesit, duke e ditur se potencialisht mund t’u binte shorti të gjithëve për t’u rihapur siç po rihapen sot kutitë, mund të merrej përgjegjësi penale dhe tentohet që përmes këtij procesi të frenohet vjedhja paraprake e votave”, raportoi gazetarja Esiona Konomi në një lidhje live.
Sa ka gjasa që të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve hapja dhe rinumërimi i këtyre kutive të votimit?
“Kodi Zgjedhor parashikon qartë se ky është një proces verifikimi për efekt të dokumentimit të problemeve që mund të kenë ndodhur dhe që mund të kenë përgjegjësi penale, por nuk ndikon në rezultat. Pra, rezultati zgjedhor nuk ndryshon pas këtij rinumërimi. E vetmja gjë që mund të ndryshojë janë pasojat penale që mund të kenë numëruesit, të cilët mund të kenë abuzuar”, shtoi gazetarja./abcnews.al