Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se ka një “marrëveshje gentelmane” me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai deklaroi se ka alternativa, por që nuk e di nëse do të shfrytëzohen nga subjekti tjetër politik, i drejtuar nga Albin Kurti.
“Kemi pasur një marrëveshje gentelmen, verbale, atë e kam thënë publike. Dhe mbetet, e rëndësishme është që tash ka alternativa që të paktën të bëhet një hap drejt daljes nga zhbllokimi, edhe në këtë drejtim Nisma është e gatshme, këtë marrëveshje gentelmane ta konkretizojë nëse ka nevojë të shkojmë edhe me marrëveshje me shkrim. Por unë të them të drejtën, marrëveshjen gentelmane edhe marrëveshjen me shkrim nuk bëj dallime, unë personalisht. E rëndësishme është që tanimë janë disa mundësi, a do të shfrytëzohen nuk e di”, ka thënë Limaj.
Kreu i Nismës theksoi se dy ditë më parë është takuar me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
“Unë jam i gatshëm që të takohem kurdo që kam ftesë jam i gatshëm të takohem me të gjithë… Kemi pirë kafe me Glaukun para dy dite dhe mirë shumë. Kemi biseduar, kemi trajtuar… Zotëri Konjufca është po ashtu…dhe është më se normale të bashkëbisedojmë zhvillimet, shqetësimet, për atë që sot Kosova është dhe është gjëja më normale që të bisedojmë dhe të trajtojmë tema se si të dalim nga kjo situate”, u shpreh ai.Para mediave, Limaj pranoj se ka biseduar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe se ditëve në vijim do të takohen për diskutime me te hollësishme.
Nisma e Fatmir Limajt ka siguruar tre deputet nga zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilat nëse bashkohen me ulëset e partive pakice shqiptare i japin Kurtit numrat për formimin e qeverise se re.