Hamilton niset i pari në garën e Japonisë

schedule21:35 - 6 Tetor, 2018

schedule 21:35 - 6 Tetor, 2018

Ljuis Hamilton pati një tjetër dominim në Formula 1. Piloti i Mercedesit fitoi provat zyrtare në Japoni, ndërsa Ferrari pësoi një dështim të madh.

Prova zyrtare për t’u festuar nga njëra palë, dhe për t’u harruar nga tjetra. Ljuis Hamilton zuri vendin e parë në konkurrimin e fundit para garës në Çmimin e Madh të Japonisë, ndërsa Ferrari pësoi një dështim të madh.

Piloti anglez i Mercedecit la pas gjithë të tjerët me kohën 1’27”760, ndërsa kjo ishte fitorja e tij e 80-të në “pole position” në karrierë. Një rekord botëror që ai po e thyen thuajse çdo dy javë apo çdo javë.

Në vend të dytë, në pistën e Suzukës, doli Valteri Botas, gjithashtu me Mercedes, gati 3 të dhjetat më vonë. Epërsia e skuadrës gjermane ishte tepër e madhe, dhe holandezi Verstapen me Red Bullin doli i treti, duke qenë 1.3 sekonda prapa Hamiltonit.

Po Ferrari?

Italianët pësuan një dështim të madh. Sebastian Fetel bëri gabim në zgjedhjen e gomave, pasi në minutat e fundit në Suzuka nisi të bjerë shi. Kjo i kushtoi shtrenjtë gjermanit që doli vetëm në vendin e 9-të!

Koha e tij ishte 4 sekonda e gjysmë më e madhe sesa ajo e Hamiltonit, natyrisht në kushte më të vështira me shi. Piloti tjetër i Ferrarit, Raikoneni doli në vend të katërt, 1.7 sekonda prapa kampionit të botës.

Hamilton do të synojë fitoren në garën japoneze, për të rritur më tej epërsisë prej 50 pikësh ndaj Fetelit, si dhe për të korrur suksesin e 71-të në karrierë, gjithnjë e më pranë rekordit të Shumaherit me 91./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!