Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Hamilton fiton në Spanjë, Mercedez vazhdon dominimin

schedule16:50 - 13 Maj, 2019

schedule 16:50 - 13 Maj, 2019

Ljuis Hamilton kryeson renditjen e Botërorit në Formula 1, pas fitores në Çmimin e Madh të Spanjës. Kampioni i botës udhëhoqi një tjetër sukses të dyfishtë të Mercedesit.

Ishte vënë në dyshim për shumë arsye.

Ljuis Hamilton mund të jetë kampion i botës në fuqi, dhe pesë herë fitues i titullit, por kur mbush 34 vjeç nuk jep garanci si më parë.

Gjithsesi, piloti anglez dha një demonstrim të aftësive të tij në nivelin më të lartë, duke dominuar plotësisht Çmimin e Madh të Spanjës në Formula 1.

Në timonin e Mercedesit, kaloi që në nisje shokun e skuadrës Valteri Botasin, dhe mori komandën që nuk do ta lëshonte më.

Përballoi sfidën e finlandezit, gjithashtu me Mercedes, si dhe kapriçot e sportit, kur makina e sigurisë hyri në fushë pas një aksidenti, duke mos u lëkundur në asnjë moment.

Këtë herë, anglezi ishte thuajse i përsosur, ashtu si edhe makina e tij gjermane, ndërsa Mercedesi arriti të pestën fitore dyshe, në të 5 garat e Botërorit të zhvilluara deri tani.

Veterani u ngjit sërish në krye të renditjes, duke rifituar statusin e favoritit për titullin e 6-të në karrierë, gjë që do ta ngjiste mbi Huan Manuel Fangion, e do ta linte vetëm një titull pas legjendës Mikael Shumaher.

Sfida nga Botasi do të vazhdojë, padyshim, por duket se Ferrari është dorëzuar përfundimisht.

Skuadra italiane jo vetëm ishte shumë më e ngadalshme sesa Mercedesi, por u kalua bindshëm edhe nga Verstapen i Red Bullit, që doli i treti në Barcelonë dhe u ngjit në podium.

Hamilton udhëheq renditjen me 112 pikë pas 5 garave, i ndjekur nga Botasi me 105.

Pilotët e Ferrarit janë lënë pas në klasifikim nga Maks Verstapen i Red Bullit, që ka 66 pikë ndaj 64 të Fetelit.

Si skuadra, Mercedesi kryeson me shkëputje duke grumbulluar 217 pikë deri tani, gati dyfishin e Ferrarit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!