Sulmet e rënda ajrore izraelite gjatë natës së të dielës në Rafah, një qytet i Rripit të Gazës në kufirin me Egjiptin, vranë rreth 100 njerëz, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë së Hamasit.
Ndërkohë, autoritetet izraelite njoftuan sot se kishin liruar dy pengje që mbaheshin në Rafah, një objektiv i deklaruar i operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës, ndërsa Hamasi, i cili sundon enklavën palestineze, tha se “rreth njëqind” palestinezë ishin vrarë nga sulmet ajrore izraelite.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ditë më parë urdhëroi ushtrinë e tij të përgatitej për të nisur një sulm në Rafah, në kufirin e mbyllur me Egjiptin, ku aktualisht është përqendruar shumica e popullsisë së enklavës palestineze. Kjo perspektivë ngre shqetësime gjithnjë e më intensive në komunitetin ndërkombëtar.
Hamasi, i cili dje paralajmëroi se një operacion i tillë do të ndikonte në çdo marrëveshje për lirimin e pengjeve ende në duart e tij në Rripin e Gazës, i konsideroi bombardimet e natës si një vazhdimësi të “luftës gjenocidale” të kryer nga Izraeli dhe përpjekjes për të shpërngulur detyrimisht popullin palestinez.
Nga ana e saj, ushtria izraelite tha se bombardimi nuk ishte pjesë e një sulmi në Rafah, por një operacion për lirimin e dy pengjeve, të cilët ishin rrëmbyer më 7 tetor, gjatë sulmit të paprecedentë të Hamasit në zonat jugore të Izraelit.