“Hamasi nuk do ta sundojë më Gazën”, Netanyahu: Sinwar e pagoi faturën e 7 Tetorit, por lufta s’ka përfunduar

schedule22:39 - 17 Tetor, 2024

schedule 22:39 - 17 Tetor, 2024

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar për vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, duke thënë se “së keqes i është dhënë një goditje, por puna nuk ka përfunduar.”

“Ai që kreu masakrën më të rëndë në historinë e popullit tonë që nga Holokausti, vrasësi masiv që vrau mijëra izraelitë, rrëmbeu qindra njerëz tanë, u eliminua sot nga ushtarët tanë heroikë. Sot, ashtu siç e kishim premtuar, i lamë hesapet me të. Sot, e keqja pësoi një goditje të rëndë, por misioni ynë nuk ka përfunduar ende.”, u shpreh Netanyahu.

Duke iu kthyer familjeve të pengjeve, Netanyahu tha: “Ky është një moment i rëndësishëm në luftë. Ne do të vazhdojmë me forcë të plotë derisa të gjithë të dashurit tuaj – të dashurit tanë – të kthehen në shtëpi. Ky është detyrimi ynë suprem. Ky është detyrimi im suprem.”

Një mesazh pati edhe për banorët e Gazës.

“Sinwar shkatërroi jetën tuaj. Ai ju tha se ishte një luan, por në praktikë, u fsheh në një tunel të errët dhe u eliminua kur iku në panik nga ushtarët tanë. Eliminimi i tij është një moment historik i rëndësishëm në shkatërrimin e boshtit të së keqes së Hamasit.”

“Hamasi nuk do ta sundojë më Gazën”, premton Netanyahu. “Ky është fillimi i ditës pas Hamasit dhe kjo është një mundësi për ju, banorët e Gazës, që më në fund të çliroheni nga tirania e saj.”

Netanyahu iu kërkoi luftëtarëve të Hamasit që të lirojnë pengjet.

“Terroristëve të Hamasit u them: udhëheqësit tuaj po ikin dhe ata do të eliminohen.”

Ai vazhdoi duke thënë se “kushdo që do të lëshojë armët dhe do të lirojë pengjet tona, ne do ta lejojmë të jetojë dhe të shkojë”./abcnews.al