Trupi i pajetë që Hamasi i dorëzoi mbrëmjen e të hënës, 27 tetor, autoriteteve izraelite nuk i përket asnjërit prej 13 pengjeve ende të pagjetur izraelitë që ndodhen në territorin e Rripit të Gazës.
Sipas analizave të Institutit Mjeko-Ligjor Abu Kabir në Tel Aviv, ato janë mbetje të trupit të njërit prej pengjeve të dorëzuar më parë gjatë këtyre ditëve tek autoritetet izraelite.
Ngjarja ka acaruar së tepërmi qeverinë izraelite, ndërsa mediat e kanë quajtur provokim. Hidhen dyshime se Hamasi i ka gjetur më parë këto mbetje dhe i ka rigroposur për t’i zbuluar sërish në praninë e përfaqësuesve të Kryqit të Kuq, që merren me ndërmjetësimin e dorëzimit të trupave.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu thirri një mbledhje urgjente të kabinetit të tij gjatë kësaj të marte. Nuk përjashtohet mundësia që Izraeli të zgjerojë vijën ndarëse të kontrollit në Rripin e Gazës, ku aktualisht, sipas planit të Trumpit për paqen që është nën zbatim, ka nën kontroll 53% të territorit.
Zgjerimi i vijës mund të shtojë sërish tensionet me Hamasin.
Kërkimet vijojnë për gjetjen e trupave të tjerë të pajetë, ndërsa Hamasi thotë se zbulimi është i vështirë pasi ata ndodhen në zonat e shkatërruara gjatë luftimeve.

