Hamasi e ka cilësuar si “krim lufte” vendimin e Izraelit për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.
Sipas një deklarate të shpërndarë për mediat, Hamas tha se ky plan i shpallur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shpjegon edhe tërheqjen e papritur të Izraelit nga raundi më i fundit i bisedimeve për armëpushim.
“Palët ndodheshin pranë një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve,” thuhet në deklaratë.
Hamasi theksoi gjithashtu se, gjatë ndërmjetësimeve me Egjiptin dhe Katarin, kishte treguar “fleksibilitet dhe gatishmëri për të bërë të mundur arritjen e një armëpushimi”.
Po ashtu, lëvizja palestineze akuzoi qeverinë izraelite se nuk po tregon interes për fatin e pengjeve izraelite që ndodhen në Gaza.
Nga ana tjetër, Netanjahu deklaroi se Izraeli nuk ka synim të mbajë territorin e Gazës, por dëshiron të krijojë një “perimetër sigurie”. Ai shtoi se plani përfshin dorëzimin e territorit “forcave arabe”, por nuk dha detaje mbi strukturën e pritshme të qeverisjes./abcnews.al

