Klubi i Tiranës doli me një deklaratë pasditen e së enjtes, duke sqaruar se drejtuesit kanë marrë vendimin për të pezulluar numrin një të stolit, Orges Shehi. Nënkampionët do të drejtohen nga Julian Ahmataj, së paku për momentin, diçka që e zbuloi presidenti Refik Halili.
Numri një i klubit takoi skuadrën para seancës stërvitore, ku për 30 minuta diskutoi me lojtarët dhe stafin teknik lidhur me situatën ku ndodhet klubi.
“Klubi jonë është një klub me tradita dhe i rëndësishëm. Jemi para skuadrës për të diskutuar dhe për të bërë më të mirën, pasi jemi para një ndeshje që nuk kemi shumë kohë. Kam bërë një bisedë me skuadrën pas rezultateve të dobëta në këto dy ndeshje.
Kontigjenti është shumë i mirë dhe shpresojmë që në ditët në vazhdim të bëhet kthesa. Po ashtu kemi pasur një trajner që them se ka qenë trajner i mirë, por kur nuk ka rezultatet gjithmonë duhet bërë një ndërhyrje, dhe menduam të largojmë trajnerin, të cilin e kemi njoftuar se kemi një marrëveshje që do e zbatojmë. Do e pezullojmë për të vazhduar e për të respektuar kontratën deri në muajin maj”.
Të kushtëzuar nga koha, Halili deklaroi se skuadra iu besua dikujt që e njeh ambientin, i cili do të jetë së bashku me stafin e tij në krye të ekipit.
“Sa i takon drejtimit të skuadrës, kemi menduar se nuk kemi kohë. Do të vendosim trajner nga akademia e do të kemi kryetrajnerin e skuadrës të të rinjve, të të gjithë akademisë, Julian Ahmatajn dhe stafin e tij dhe stafi që është sot prezent.
Do të jetë një trajner i përkohshëm. Julian Ahmataj dhe gjithë stafi janë të gjithë në dispozicion të skuadrës për të bërë më të mirën, pasi jo skuadër dhe këto lojtarë meritojnë të jenë më lart. Nuk kam frikë dhe nuk ka vend për alarm. Nuk na pëlqejnë këto rezultate dhe unë jam i bindur se kjo skuadër do të shkojë shumë para”./h.ll/abcnews.al