Hakmarrja mes grupeve kriminale ktheu Shqipërinë në arenë lufte, 47 vrasje dhe 54 viktima. Vijon misteri Martinaj

schedule23:10 - 31 Dhjetor, 2022

schedule 23:10 - 31 Dhjetor, 2022

Nga Xhensila Kodra

Viti 2022 u mbyll me 47 vrasje me 54 viktima. 30 prej tyre u zbardhën nga hetuesit, 13 të tjerat janë ende dosje të hapura dhe nuk ka asnjë autor të dyshuar.

Krahasuar me vitin 2021 ndodhën 14 vrasje më pak.

Nga 47 krime që tronditën vendin, 10 janë në familje.

Qarku me më shumë krime është Shkodra, me 11 vrasje. Pasohet nga Tirana me 9 e Fieri me 7. Qarqet që nuk kanë asnjë krim gjatë vitit 2022 janë Kukësi e Gjirokastra.

13 atentate ishin të tipit mafioz. Shpërthimi me eksploziv i mori jetën Aleksandër Sadikajt, i cili ishte duke udhëtuar me makinë në Tiranë. Në 3 prill u ekzekutua me breshri plumbash Iljaz Çali.

Krimi ndodhi në autostradën Tiranë – Durrës.

Nga 13 atentate, policia mundi të zbardhë vetëm 3 dhe në këto raste autorët nuk janë kapur.

Muaji gusht shënoi numrin më të lartë të kriminalitetit në të gjithë vendin. Ndodhën 13 vrasje që lanë 16 viktima.

Ngjarja më e përfolur dhe më e komentuar është zhdukja plot mister e Ervis Martinajt. I cilësuar si mbreti i lojërave të fatit dhe i shumëkërkuar nga autoritetet, Martinaj u denoncua në gusht në policinë e Kurbinit nga familjarët e tij.

Që prej asaj kohe, kërkimet për të nuk janë ndaluar.

Dyshimet se Martinaj është gjallë dhe për Krishtlindje mund të takohej me familjarët, rikthyen RENEA-n dhe FNSH në banesën e tij, në Fushë Kuqe të Kurbinit. Sërish, asnjë gjurmë. U gjetën vetëm armë e municione në kosheret e bletëve.

Misteri për fatin e Martinajt shkoi deri në kryeministri. Ditën që u prezantua Muhamet Rrumbullaku, i cili zëvendësoi Gledis Nanos, drejtorin më jetëshkurtër në historinë e Policisë së Shtetit, Edi Rama la këtë porosi për misterin Martinaj.

“Drejtori i Policisë së Shtetit, duhet të sigurojë që kjo dilemë të marrë fund sa më parë.”

Por, edhe pas 100 ditëve të Rrumbullakut, policia nuk ka dalë ende në përfundim nëse ai është gjallë apo është vrarë.

I vetmi i arrestuar është oficeri i operacionales Jeton Lami që përkrahte në çdo lëvizje Martinajn dhe që dyshohet se është personi i fundit që mund të ketë kontaktuar me të para se të zhdukej.

Zhdukja e Martinajt ndodhi pak muaj pas deklarimeve të dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë, Nuredin Dumani. Ai zbardhi një sërë ngjarjesh e porosi vrasjesh. Sipas Dumanit, Martinaj kishte premtuar 500 mijë euro për vrasjen e kundërshtarit, Endrit Dokle, anëtar i bandës së Durrësit.

Dëshmia e tij, pasoi me një sërë ngjarjesh kriminale.

Mesditën e 17 korrikut në Fushë-Krujë, persona ende të paidentifikuar ekzekutuan me breshëri plumbash Brilant Martinajn, djalin e xhaxhait të Ervis Martinajt, si dhe dy miqtë e tij, Dikler Vata e Besmir Hoxha.

Një javë më pas, në Laç u qëlluan me breshëri plumbash anëtar të tjerë të grupit të Martinajt. Klisman Preçi u vra dhe Ylli Ibrahimi u plagos rënd. Për grupin hetimor, këto ngjarje bashkohen në një pikë të vetme, hakmarrja pas përplasjeve të grupeve kriminale.

Krimi preku dhe radhët e policisë. Oficeri i Elbasanit, Arjan Tase, goditi për vdekje me skafin që drejtonte, vogëlushen 7 vjeçare Jonada Avdia, ngjarje e ndodhur në plazhin e Potamit, në Dhërmi.

Në 23 maj efektivi Judjan Zaimi vrau me armën e shërbimit brenda komisariatit nr 3 në Tiranë, kolegun Çaush Saliasi.

Në Tiranë, më 16 dhjetor u vra biznesmeni Edmond Papa. Krimi ndodhi në Selitë, pak orë pasi ai mbërriti nga Saranda. Dyshohet se shkak është bërë prishja e pazareve të drogës.

Gjatë vitit 2022, me urdhër të SPAK prangat nuk u kursyen as për politikanët e ish-zyrtarë të lartë të shtetit.

M 1 Prill u arrestua ish-deputeti socialist Alqi Bllako për aferën korruptive të incineratorëve. Po për të njëjtën çështje u arrestua në 2021 edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Në pranga u vunë dhe një serë zyrtarësh të tjerë të dyshuar se përfituan miliona euro nga biznesmenët që fituan koncesioin dhe ndërtuan 2 incineratorë atë të Fierit dhe Elbasanit. SPAK mbylli hetimet dhe dosjen e dorëzoi në Gjykatë.

Kryetari i Bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe u prangos në korrik në zyrën e tij me urdhër të prokurorisë së posaçme në lidhje me një tender për pastrimin e një kanali ujitës. Edhe pse u ai hetua për abuzimin për dhënin e një tenderi në fund u dënua me 2 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre për abuzimet me karburantin dhe lejimin e një ndërtimi pa leje.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u dënua me 3 vite e 4 muaj burg nga Gjykata e Apelit të Posaçëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Me akuzën e korrupsionit, u dënua me 10 muaj burg ish-zëvendës ministrja e Brendshme Rovena Voda, me dyshimin se morri një telefon dhe një arkë me peshk për t’i siguruar një qytetareje një vend punë në administratë. Ajo vazhdon betejën në Apel ku kërkon pafajësi.

Që prej 16 dhjetorit, drejtimin e prokurorisë më të rëndësishme në vend, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ia besoi Altin Dumanit, që mori “karrigen” e Arben Krajës për tre vitet e ardhshme. Procesi për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, u monitorua nga ambasadorja amerikane Yuri Kim. Votimi për kreun e ri të SPAK nisi pak minuta pasi ajo la KLP-në.

SPAK ka në hetim një numër të madh dosjesh, siç është ajo e ish-presidentit Ilir Meta i kallëzuar për pastrim parash, dosja “Gërdeci” me ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun, apo hetimet për aferën e klubit sportiv “Partizani” ku i kallëzuar është ish-kryeministri Sali Berisha.

2023 mbetet të testojë pritshmëritë e ulura tashmë se nga kallëzimi, drejtësia e re do shkojë në hetim, dhe më shumë në akuzë ndaj peshqve të mëdhenj që edhe këtë vit do festojnë të qetë gjelin e Vitit të Ri, blerë me paratë e vjedhura njerëzve të thjeshtë./Abcnews.al/ 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!