Mesfushori i Milanit, Hakan Calhanoglu, ende nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit përsa i përket rinovimit. Kontrata e turkut me kuqezinjtë përfundon në qershor të vitit 2021 dhe palët kanë nisur negociatat për rinovimin e saj.
26-vjeçari kërkon një rritje page në kontratën e tij të re, konkretisht 6.5 milionë euro neto në vit. Milan e konsideron si të lartë kërkesën e tij, prandaj pritet një takim mes drejtuesve të klubit dhe agjentit të lojtarit.
Duke parë situatën e krijuar është Interi që kërkon të përfitojë. Sipas raportimit të “CalcioMercato”, në rast se ata nuk bien dakord, zikaltrit janë të gatshëm ta transferojnë Calhanoglun në anën tjetër të Milanos. /abcnews.al