Duke komentuar përsëri referendumin në Maqedoni, eurokomisioneri Hahn thotë se nuk nevojiten zgjedhje të reja në vend. Sipas tij duhet thjeshtë të arrihet dy e treta e votave në Kuvend për të siguruar zbatimin e marrëveshjes për emrin me Greqinë.
Eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn konsideron se nuk nevojiten zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoni.
Por sipas tij duhet të shfrytëzohet mundësia e sigurimit të dy të tretave të votave në Kuvend për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës për emrin. Në një prononcim për gazetën austriake “Kurir”, Hahn tha se këtë porosi ia ka përcjellë dhe kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev.
“Zgjedhjet e reja do të jenë stërzgjatje e rrugës drejt fillimit të negociatave për qasjen e Maqedonisë në BE, e planifikuar në verë vitin e ardhshëm”, u shpreh zyrtari I Brukselit.
Lidhur me referendumin, Hahn theksoi se nuk mund të thuhet se ka qenë i pasuksesshëm.
“E pazakontë është në referendum të merret mbështetje prej 94 për qind, por të dalin vetëm 36.8 për qind e votuesve, edhe atë pasi opozita padyshim ishte e suksesshme në bojkotimin”, shtoi më tej eurokomisioneri.
Hahn mendon se në Kuvendin maqedonas mund të sigurohen dy të tretat e votave.
“Nevojiten tetë apo nëntë vota nga opozita dhe ajo patjetër të jetë e realizuar. Të gjithë thonë se duan anëtarësim në BE dhe NATO duke përfshirë edhe opozitën, dhe atëherë duhet patjetër të paguani çmimin e kësaj zgjidhjeje”, përfondoi Hahn./abcnews.al