Hagë, seancë apelimi për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjes

schedule18:38 - 26 Gusht, 2020

schedule 18:38 - 26 Gusht, 2020

Prokurorët u bënë thirrje të mërkurën gjyqtarëve të OKB-së të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç për krime lufte, përfshirë gjenocid, ndërsa avokatët e tij kërkuan lirimin ose rigjykimin e tij.

Mlladiç, 77 vjeç, ishte komandant i forcave serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë në vitet 1992-95 dhe gjyqtarët e gjetën atë përgjegjës për faktin që ishte në krye të forcave, të cilat vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, në vitin 1995.

“Srebrenica ishte operacioni i Mlladiçit, dhe gjykata me të drejtë arriti në përfundimin se ai ishte përgjegjës penalisht për këto krime,” tha prokurorja Laurel Baig në ditën e dytë dhe të fundit të seancave të apelimit.

Gjatë fjalës së prokurores, Mlladiçi tundëte kokën herë pas here në shenjë mospëlqimi.

Gjyqtarët e gjetën Mlladiçin përgjegjës për fushatat e “spastrimit etnik” kundër myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjes si dhe për vrasjen dhe terrorizimin e civilëve në kryeqytetin Sarajevë gjatë një rrethimi 43-mujor, si pjesë e planit për të krijuar “Serbinë e Madhe” me territoret e mbetura të ish-Jugosllavisë.

“Çdo vrasje e paligjshme në Srebrenicë që ndodhi jashtë luftimeve është e dënueshme, por ato nuk lidhen me zotin Mlladiç,” tha avokati mbrojtës Dragan Ivetiç gjatë argumenteve që paraqiti të martën.

Seanca e apelimit po mbahet në një gjykatë të OKB-së në Hagë, të ngritur për të dëgjuar ankimimet dhe çështjet e mbetura nga Gjykata për ish-Jugosllavinë, e cila u mbyll në vitin 2017.

Procedura u transmetua me video për shkak të pandemisë COVID-19.

Gjyqtarët e apelit pritet të caktojnë datën për dhënien e vendimit, e cila me gjasë do të jetë në vitin 2021./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!