Hagë/ Ministri Hasani: Llogaridhënia për Ukrainën të shkojë paralelisht me arritjen e paqes

schedule15:42 - 2 Prill, 2024

schedule 15:42 - 2 Prill, 2024

Në konferencën “Rivendosja e Drejtësisë në Ukrainë”,  që u organizua në Hagë, Holandë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani  theksoi se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi e të paguajë për vuajtjet e civilëve të pafajshëm dhe dëmet ekonomike në Ukrainë.

“Shmangia e Rusisë nga llogaridhënia është mesazh inkurajimi për diktatorët dhe regjimet, se rregullat dhe ligjet nderkombetare mund shkelen, pa pasur asnjë pasojë”, nënvizoi Ministri Hasani.

Sipas tij, krijimi i regjistrit të dëmeve të shkaktuara nga agresioni rus është një hap i rëndësishëm në krijimin e një Mekanizmi Ndërkombëtar Kompensimi.

“Shqipëria mbështet përpjekjet e Këshillit të Evropës për të udhëhequr procesin e konfiskimit dhe përdorimin e aseteve ruse, për rindërtimin e Ukrainës”.

Ministeriali, u bashkëdrejtua nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Holandës, Hanke Bruins Slot dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, me pjesëmarrjen e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Kharim Khan, me të cilin ministri Hasani zhvilloi një takim.

Konferenca “Rivendosja e Drejtësisë në Ukrainë”, ishte takimi i parë ministerial i Grupit të Dialogut për Llogaridhënie për Ukrainën, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Ajo jep mundësinë e paraqitjes së përpjekjeve, përfshirë alokimin e fondeve për mbështetje dypalëshe, si dhe të mendimeve të vendeve dhe partnerëve ndërkombëtarë lidhur me atë se si ata do të sigurojnë llogaridhënien për Ukrainën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!