Hagë, dëshmitari i njëzet në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve flet për një familjar të zhdukur

schedule12:36 - 4 Shtator, 2023

schedule 12:36 - 4 Shtator, 2023

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i njëzetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai po dëshmon nën masa mbrojtëse dhe një pjesë e dëshmisë së tij është dhënë e hapur për publikun. Ai pretendon se anëtarë të UÇK-së i kishin marrë një familjar për të cilin ka thënë se nuk di asgjë prej vitit 1998.

Seanca me të dhënat personale të dëshmitarit ka vijuar e mbyllur për publikun, ndërsa më pas ai ka konfirmuar se është intervistuar nga ZPS në shtator të vitit 2019 dhe se ka dhënë deklarata për institucionet në Kosovë edhe në mars të vitit 2000.

Pyetjet e prokurores Ruth-Mary Hackler janë fokusuar rreth familjarit të dëshmitarit me kodin 4368, për të cilin ai pretendon se është marrë nga UÇK-ja në vitin 1998 dhe prej atëherë askush nuk di asgjë për të.

Personi që pretendohet të jetë i zhdukur është quajtur “i afërmi numër 1”.

Prokurorja Ruth-Mary Hackler ka lexuar një përmbledhje të dëshmisë së 4368.

Tutje, prokurorja ka thënë se në seancën përgatitore dëshmitari ka thënë se familja e tij ishin mbështetës të Ibrahim Rugovës por ata sipas tij përkrahnin edhe UÇK-në.

Lidhur me këtë, përgjigja e dëshmitarit është transmetuar me përmbajtje të redaktuar.

Me këtë kanë përfunduar pyetjet e prokurorisë, ndërsa ato të mbrojtësit të viktimave janë transmetuar me përmbajtje të redaktuar.

Seanca është duke u zhvilluar me intervistimin e dëshmitarit nga avokati i ish-presidentit Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!