Në një lidhje të ndjerë me “ABC e Mëngjesit”, këngëtari dhe animalisti Benardo Doçi tregoi historinë prekëse të qenit “Pitja”, i cili prej vdekjes së pronarit të tij vazhdon të endet rrugëve të Tiranës, duke ndjekur të njëjtin itinerar që bënin dikur bashkë.
Një histori e dhimbshme besnikërie që po quhet tashmë: “Hachiko i Tiranës”. Benardo, i cili mësoi për qenin përmes Shoqatës së Mbrojtjes së Qenve, vendosi të marrë përsipër gjetjen dhe strehimin e tij.
“Di që pronari ka pak kohë që ka ndërruar jetë, por ka qenë jashtëzakonisht i lidhur me qenin. ‘Pitja’ vazhdon e ecën rrugëve ku ecnin bashkë”, u shpreh ai.
Ai rrëfen se qytetarët e kanë parë qenin në zonat ku dikur pronari shëtiste përditë.
“E kam shpërndarë kudo lajmin, kushdo që e sheh të më telefonojë. Fatkeqësisht kam marrë edhe telefonata tallëse, por unë nuk heq dorë”, tregon ai me zhgënjim por edhe vendosmëri.
Ndërkohë që kërkon Piten, Benardo ka nisur një mision paralel: krijimin e një strehe për kafshët endacake, të cilën e ka pagëzuar “Home for Paës”.
Streha do të sigurojë ushqim, kujdes veterinar dhe një shtëpi të përkohshme për të gjitha kafshët në nevojë. Aktualisht, ai po kujdeset për disa qen të shtruar në klinika veterinare, me një faturë që shkon mbi 7 mijë euro.

