Habit nënkryetari i LDK: Nuk i besoj qeverisë së re që do krijohet

schedule23:00 - 2 Qershor, 2020

schedule 23:00 - 2 Qershor, 2020

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit dhe njëherësh nënkryetar i LDK-së ka komentuar sot zhvillimet politike.

Haziri ka habitur me deklaratën e tij, pasi është shprehur për mediat në Kosovë se këto kohë ka qenë më pak i angazhuar për shkak se sipas tij po ndërtohet një qeveri të cilës nuk i beson.

“Kohëve të fundit jam më pak i angazhuar, sepse po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj. Një qeverie që i kam besuar më shumë, nuk arriti suksesshëm me e përballu mandatin”, ka thënë Haziri.

Më tej ai ka shtuar se nuk e ka problem t`i shprehë haptas qëndrimet e tij.

“Kjo është bindja ime dhe ky është guximi im politik që ta them para secilit nivel, para secilit qytetar dhe para secilit lider, sepse besimin tim politik nuk mund të ma ndalojë askush. Unë jam lojal në vendime, respektoj vendimet e shumicës, angazhohem për aq sa më kërkojnë me u angazhu, por kjo është bindja ime dhe natyrisht nuk ka nevojë Gjilani me pas qeveri armiqësore, nuk ka nevojë Gjilani me pas raporte armiqësore me kryeministra dhe as me ministra, sepse ne jemi të varur nga vendimet e tyre”, ka deklaruar Haziri.

Kujtojmë se seanca për formimin e Qeverisë së re “Hoti” është caktuar të mbahet nesër në orën 11:00.