Ishte vetëm çështje kohe, megjithëse askush nuk mendonte se Erling Haaland do të vendoste kaq shpejt një rekord që qëndronte prej shumë vitesh në fuqi. Sulmuesi i Manchester City hyn në historinë e futbollit anglez, duke arritur në kuotën e 100 golave në Premier League pas vetëm 111 ndeshjeve.
Norvegjezi le pas një legjendë si Alan Shearer, që këtë shifër e kishte kapur pas 124 sfidave të luajtura në kampionat.
Një arritje mbreslënëse, që e konfirmojnë Haaland një makineri të vërtetë golash.
Sulmuesi e vendosi këtë rekord në fitoren 5-4 të Manchester City në fushën e Fulham.
Rezultati flet qartë për një sfidë sat ë çmendur dhe po aq spektakolare.
Skuadra e Pep Guardiola dominoi në pjesën e parë, madje dha përshtypjen se e vrau garën përpara pushimit.
Haaland zhbllokoi rezultatin me golin e rekordit në minutën e 17-të, ndërsa më pas Reijnders dhe Foden thelluan në 3-0 epërsinë e “Cityzens”.
Smith-Roëe ngushtoi diferencën në shtesën e pjesës së parë, por pas pushimit shpresat e vendasve u sfumuan sërish.
Foden me golin e dytë personal dhe autogoli i Berge thelluan në 5-1 rezultatin.
Por të besuarit e Guardiola u relaksuan më shpejt seç duhej.
Fulham nuk u dorëzua, madje I shkoi shumë pranë realizimit të një misioni thuajse të pamundur. Iwobi dhe dy herë Chukwueze mbajtën garën të hapur deri në fund.
Gjithsesi, Manchester City arriti të ruajë fitoren, duke u ngjitur në kuotën e 28 pikëve në vendin e dytë, vetëm dy më pak se Arsenali kryesues.

