Erling Haaland pritet të ndryshojë skuadër, ndoshta që në muajin janar. Sulmuesi norvegjez që ka shpërthyer me RB Salzburg, jo vetëm në kampionat por edhe në Champions League, është në listën e dëshirave të klubeve më të mëdha në Europë.
Sulmuesi kërkohet me ngulm nga Manchester United dhe Juventusi, por edhe nga klube të tjera. Edhe në Gjermani e duan Haaland dhe RB Leipzig u mendua fillimisht si destinacioni i sulmuesit. Së fundmi ka zhvillime të reja.
Është Borussia Dortmund klubi që është futur në garë dhe po kërkon të mbyllë sa më shpejt marrëveshjen e transferimti të Haaland, i cili thuhet se ka një klauzolë që e lë të lirë për shumën e 25 milionë eurove.
“Radio 91.2” dhe “Ruhr Nachrichten” raportojnë se Haaland ka zbarkuar në aeroportin e Dortmundit mbrëmjen e së mërkurës me një avion privat, duke shtuar zërat për një kalim te verdhezinjtë. Jo vetëm kaq, por thuhet se bisedimet kanë nisur dhe mbetet të shihet se si do të shkojnë tratativat. /abcnews.al