H5N1, pak viktima, por vdekjeprurës/ OBSH: Në 22 vite mbi 900 të infektuar, gjysma humbën jetën

schedule15:08 - 4 Mars, 2025

schedule 15:08 - 4 Mars, 2025

Gripi i shpendëve H5N1 është një lloj i influencës aviare që prek kryesisht shpendët, por në raste të rralla mund të infektojë edhe njerëzit. Ky virus është identifikuar për herë të parë në vitin 1996 në Guangdong, Kinë, ku shkaktoi një numër të moderuar ngordhjesh  teK patat dhe tërhoqi pak vëmendje. Në vitin 1997, në Hong Kong, u regjistruan 18 raste infektimi te njerëzit, nga të cilët 6 humbën jetën. Kjo ishte hera e parë që Gripi i Shpendeve H5N1  u zbulua te njerëzit.

Pas një periudhe pa raste të reja, në vitin 2003, tre persona nga një familje që kishin vizituar provincën Fujian në Kinë u infektuan, dhe dy prej tyre vdiqën. Në të njëjtin vit, shpërthime të sëmundjes u raportuan në disa vende aziatike, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Tajlandën. Në vitin 2005, virusi u përhap në Kazakistan, Mongoli dhe Rusi, duke shkaktuar shqetësime globale për një pandemi të mundshme.

Në vitet e fundit, H5N1 ka vazhduar të qarkullojë në popullatat e shpendëve të egër dhe atyre shtëpiake, duke shkaktuar shpërthime të herëpashershme. Në vitin 2024, Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi 76 raste të infeksionit tek njerëzit me H5N1 në nivel global. Shumica e këtyre rasteve u regjistruan tek punëtorët e fermave, të ekspozuar ndaj shpendëve të infektuar. Vendet e prekura përfshinin Shtetet e Bashkuara, Australinë, Kanadanë, Kinën, Kamboxhian dhe Vietnamin.

Pavarësisht këtyre rasteve, OBSH vlerësoi se rreziku i përgjithshëm për popullatën mbetet i ulët, megjithëse individët e ekspozuar profesionalisht konsiderohen në rrezik “të ulët deri në mesatar”.  Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësise, infektimi I njeriut me Gripin e Shpendeve vlerësohet të ketë një shkallë fataliteti prej rreth 50% pasi në shumicën e rasteve shkakton pneumoni të rëndë. Qe nga viti 2003 deri ne 31 janar te vitit 2025 jane raportuar 971 raste te infektimit te njerezve nga grupi I shpendeve ne mbare boten dhe nga keto 971 persona, 467 prej tyre kane humbur jeten .

Në prill 2024, u raportua se H5N1 ishte përhapur në tufat e lopëve të qumështit në disa shtete të SHBA-së, duke treguar përhapje nga lopa te lopa, ndoshta gjatë procesit të mjeljes.  Në Shtetet e Bashkuara, në janar 2025, u raportua rasti i parë i vdekjes nga gripi i shpendëve. Një person mbi 65 vjeç në Luiziana, me probleme shëndetësore të mëparshme dhe i ekspozuar ndaj shpendëve të sëmurë në pronën e tij, ndërroi jetë pas infektimit me H5N1. Analizat gjenetike treguan se virusi kishte pësuar mutacione brenda pacientit, çka mund të ketë çuar në përkqeësimin e gjendjes së tij shëndetësore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!