Kombet e Bashkuara do të qëndrojnë në Afganistan për të ofruar ndihma për miliona afganë të dëshpëruar, por fondet po shterojnë, tha të martën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Guterres foli pas një takimi të përfaqësuesve të më shumë se 20 vendeve në Doha të Katarit për të diskutuar një qasje të përbashkët ndërkombëtare ndaj Afganistanit.
Ai tha se shqetësimet për stabilitetin e vendit po rriten, shkruan REL.
“Ne qëndrojmë (në Afganistan) dhe jemi të vendosur të kërkojmë kushtet e nevojshme për të vazhduar… pjesëmarrësit ranë dakord për nevojën për një strategji angazhimi,” tha Guterres.
“Urdhëri i talibanëve që ia ka ndaluar grave afgane punën në OKB ishte një shkelje e të drejtave të njeriut.Ne kurrë nuk do të heshtim përballë sulmeve të pashembullta sistematike ndaj të drejtave të grave dhe vajzave”, tha ai.
Guterres theksoi se takimi nuk kishte për qëllim njohjen e administratës së talibanëve – gjë që asnjë vend nuk e ka bërë zyrtarisht ende.

