Ishulli i Lezhës është pjesë e programit të qeverisë ‘100 fshatrat’ që synon të sjellë përmes projekteve zhvillimore një dimension të ri zhvillimit të agroturizmit dhe përmirësimit të ekonomisë së zonës. Laguna e Ishull-Lezhës është e pasur me specie të rralla si Rosa e Egër, Bajza, Çafka, Karabullaku.
Ishulli i Lezhës, është quajtur ‘ishull’ për shkak të sistemit lagunor që afrohet deri pranë qytetit të Lezhës. Ndodhet rreth 60 km. nga Tirana dhe me një histori të vjetër si një sistem lagunor dhe destinacion turistik. Është e para Zonë e Mbrojtur e Shqipërisë, e shpallur si Rezervë Gjuetie që nga korriku i vitit 1940. Edhe sot ruan këtë status të emërtuar si “Rezervat Gjuetie dhe Rezervë e Menaxhuar”. Kjo zonë përfshin një sistem ligatinash, ku përfshihen laguna e këneta, ujëra detare dhe, toka nën nivelin e detit dhe pyje tipike bregdetare, shkurre mesdhetare, rrjedhje ujore dhe toka bujqësore e kullota.
Laguna është e pozicionuar në jugperëndim të qytetit të Shëngjinit, në perëndim të fshatrave të ishull Shëngjinit dhe Ishull Lezhës. Edhe në këtë lagunë, ashtu si në atë të Karavastasë, janë flamingot ato që tërheqin më shumë me shfaqet e tyre të “kërcimit” në ujë. Këtu banorët kanë emigruar kryesisht në Greqi. Fatjon Vathaj tregon vuajtjet e rrugës për në Greqi, nëpër male që në moshën 15 vjeç. “Tani nuk do ta beja kurre ate rruge”, na thotë. Pjesë e odisesë së kësaj rruge ishte të gjeje një vend për të fjetur dhe ajo që gjeti Fatjoni ishte një dhomë me një “sobë me granata dhe eksplozive”.
Vendosi të kthehej dhe të hapte një fermë të vogel për familjen, të cilën e ka kthyer tashmë në biznes. Shkurtat apo thëllëzat janë zogu i shumekerkuar. Vezet e tyre kerkohen shume veçanerisht per shkaqe shendetsore. Hoteli i Gjuetisë në Ishull-Lezhë i ndërtuar në vitit 1936 është një objekt me vlera të veçanta historike. Mirditori Viktor Jushi, administrator i Hotelit të Gjuetisë, mjeshtër i punimit të gurit, thotë se “ky objekt u ndërtua nga italianët për promovimin e turizmit të të apasionuarve pas gjuetisë. Aty ndodhet edhe një ndërtesë e vitit 1939, që lidhet me emrin e Kontit Çiano, ish-ministrit të Jashtëm të Italisë. Është shpallur “Monument Kulture”.
Këtu, Konti Çiano, ish-ministri i Jashtëm i Italisë. dikur ftonte në këtë vilë shumë personalitete italiane dhe miq nga vende të ndryshme, si dhe projektuesit kryesorë të operacioneve ushtarake, strategjike e diplomatike të Duçes. Në kohën e komunizmit, këtu vinin qeveritarët e kohës, të cilët gjuanin shpendë dhe kafshë të egra të lagunës. Jushi, I cili e bleu këtë kompleks pas kthimit nga emigracioni, thotë se “grumbulloi eksperiencë në Greqi” dhe hapi biznes këtu duke punësuar veten dhe familjen. “Kam bo mire qe jam kthy”, na thotë Jushi.
Vila e ministrit të Duçes gjendet pikërisht këtu dhe siç ka dëgjuar Viktori nga babai I tij, këtu mendohet se janë takuar madje Çiano dhe Ribentrop. Më vonë, gjatë viteve të komunizmit, këtu vinte më shumë Kadri Hazbiu. Viktori thotë se janë përpjekur të ruajnë karakterin e objektit dhe natyren. “Do sakrifica qe te mirembahet dhe te investojme”, thotë ai. / abcnews.al/

