Nga emisioni Vetting
Janë rrënoja të disa prej veprave të kohës së socializmit në Shqipëri. Shumica prej tyre janë ndërtuar përmes punës së detyruar nga të burgosurit politik apo me punë vullnetare. Në çdo qytet por edhe në shumë qyteza apo fshatra të Shqipërisë gjen godina gjysmë të shembura, hekurishte fabrikash, uzinash, rafineri jashtë funksionit, minera të braktisura, mbetje të veprave të ndryshme të ndërtuara gjatë 45 viteve të sistemit diktatorial në Shqipëri. Ishin pjesë e zinxhirit industrial i konceptuar sipas ekonomisë së përqendruar në duart e shtetit.
Këto ndërmarrje industriale i përkisnin një teknologjie të vjetëruar dhe shumë prej tyre dolën jashtë funksioni përpara se të falimentonte sistemi komunist, në vitin 1990.
Janë me dhjetëra ndërmarrjet industriale që pushuan së funksionuar me rënien e sistemit. Shumica e tyre mbetën rrënoja dhe sit ë tilla janë edhe sot pas 32 vitesh. Ish-zv.kryeministër në qeveritë e para pas rrëzimit të diktaturës, Dashamir Shehi, si dhe ish-ministri i financave në qeverisjen e mëvonshme Arben Malaj, shpjegojnë arsyet pse këto vepra u kthyen në rrënoja.
Për ekspertin e ekonomisë Arben Malaj, një ndikim të rëndësishëm ishte edhe aplikimi i teorisë shokterapi në Shqipëri ashtu si dhe në vende të tjera të bllokut të lindjes komuniste. Për Shehin ky argument nuk qëndron dhe se arsyet e shkatërrimit të industrisë socilaiste janë krejt të tjera.
Do të shkojmë në disa prej vendeve ku kanë mbetur ende rrënojat e zinxhirit industrial të ndërtuar.
Uzina e përpunimit të bakrit në Rubik u ndërtua në vitin 1974, kryesisht bazuar mbi punën e detyruar nga ish-të burgosurit politik. Kjo uzinë ka funksionuar deri në vitin 1998 kur dhe pushoi së funksionari. Në vitin 2013 uzina u dha me koncesion një kompanie të huaj e quajtur AM grup. Sipas kontratës kompania duhej të investonte 2 milion euro. Por kontrata u shkel dhe kompania nuk investoi asnjë cent në këtë uzinë. Përveç kësaj kompania shiti shumë pjesë të uzinës për skrap.
Për ndryshim nga të tjera vepra industriale të braktisura, uzina e bakrit në Rubik është e rrethuar me një mur dhe dera është e mbyllur. Fasada, muret e jashtme duken në gjendje të mirë sepse janë restauruar në vitin 2020. Ky restaurim ka ndikuar në ngadalësimin e shkatërrimit të saj. Por brenda këtyre mureve gjendet një varrezë hekurash.
Një efekt nga koha e diktaturës që e shesim si laç
Rreth 700 të dënuar politik u vendosën në kampin 303 të Laçit në vitin 1963. Në kushte çnjerëzore, të burgosurit politik të kampit burg, nisën punën me tre turne për të ndërtuar uzinën e superfosfatit. Prej dhjetorit 1963 deri në dhjetor 1967, katër të burgosur politik tentuan të arratisen nga kampi për shkak të kushteve të vështira dhe torturave. Asnjëri prej tyre nuk ia doli të arratisej pasi u kapën dhe u ekzekutuan nga oficerët e sigurimit të shtetit.
Një banor i Laçit, Ndrekë Nikolli, i mban mënd mirë të burgosurit politik kur punonin në këtë fushë në kushte mizerie. Ai ishte në atë kohë në moshën 17-vjeçare.
Disa vite më vonë ai do të punësohej në këtë uzinë, në repartin e shkrirjes së bakrit.
Me ndërrimin e sistemit, uzina e Laçit u shkatërrua.
Mbi 70% e sektorëve të kësaj fabrike u mbyllen në fillim të viteve 1990. Vetëm 30% e saj ishte funksionale deri në fillim të viteve 2000, kur një kompani kineze e shfrytëzonte për prodhim bakri.
Siç shihet edhe nga pamjet gjithçka është kthyer në gërmadhë. Zona ku ngrihej uzina e Laçit ngjason më shumë me vend depozitimi inertesh dhe mbetjesh pasi pjesa më e madhe e ndërtesave u shkatërrua për të marrë prej tyre hekurin dhe pajisjet e prodhimit, me qëllim për ti shitur ato për skrap.
Katër vite më parë, në gërmadhat e kësaj uzine humbën jetën dy të rinj të qytetit të Laçit Dashamir Jahja dhe Drilon Lamaj. Ata mbetën poshtë një muri i cili u shemb kur dy të rinjtë po gërmonin për të gjetur hekur.
Një prej banorëve të zonës tregoi se vëllai i kishte ndërruar jetë 5 vite me parë pasi gjatë momentit që po vendoste ushqimin e kafshëve në brendësi të njërës prej godinave të fosfatit e goditi një pjesë betoni. Për shkak të shkatërrimit të kollonave për marrjen e hekurit këto godita janë bërë te rrezikshme.
Pushteti vendor dhe ai qendror nuk ka marrë asnjë masë për ta mbajtur nën kontroll ambientin e kësaj uzine e cila paraqet rrezik serioz për banorët e zonës.
Mbetjet toksike kane krijuar një shtresë te kuqe mbi sipërfaqen e tokës. Nuk mund të qëndrosh më shumë se disa minuta në zonë pasi aroma është mbytëse. Pavarësisht nivelit të lartë të rrezikut një prej fabrikave të prodhimit ishte privatizuar, ku banorët e zonës kishin vendosur ushqimin e kafshëve.
Në gjithë sipërfaqen e zonës së fabrikave ka gropa të mbushura me lëng toksik. Gjatë periudhës së shirave gjithë zona mbulohet nga avuj me aromë kimike.
Fabrika e pasurimit në Përrenjas është ndërtuar në vitin 1960. Një pjesë e saj, uzina mekanike, prodhonte pjesë këmbimi për minierat në shkallë republike. Na fabrikën e Përrenjasit ishin të punësuar rreth 1300 punëtorë nga qyteza dhe zonat përreth. Me ndryshimin e sistemit në vitet 1990 fabrika doli jashtë funksionit.
Tashmë është vetëm një rrënojë që rrezikon jetën e banorëve të zonës përreth. Çelnik Karriqi dhe Nazmi Zharri janë dy banorë të Përrenjasit që kanë qenë punonjës në këtë fabrikë për shumë vite.
Fabrika ishte ndërtuar me ndihmën e inxhinierëve kinezë dhe ishte një ndërmarrje që mbante ekonominë e Përrenjasit por edhe Librazhdit.
Sinkron nuk kishte fshat që s’kishte punëtor në uzinë..
Ish-punonjësit e kësaj fabrike e mbajnë mënd si një vepër madhështore. E panë të shkatërrohej ditë pas dite.
Dy kulla të larta ngrihen në hyrje të uzinës që është edhe hyrja për në qytetin e Përrenjasit. Janë pikturuar nga disa artistë për të simbolizuar kontributin e minatorëve të zonave përreth që furnizonin fabrikën me minerale.
Këto janë rrënojat e ndërmarrjes gjeologjike në Pogradec. Fabrika e përpunimit të mineraleve në hyrje të Pogradecit është ndërtuar në vitin 1962. Qemal Turbaku, ka punuar për shumë vite si gjeolog në këtë ndërmarrje.
Pas ndryshimit të sistemit dhe prishjes së ekonomisë së përqendruar socialiste, fabrika pati të njëjtin fat me të tjera vepra të kësaj natyre pasi doli jashtë funsksionit për tu kthyer në gërmadhë. Kërkuesit e skrapit kanë shkatërruar godinat për të marrë hekur.
Teci i Korçës është gjithashtu një ndër veprat e braktisura pas vitit 1991. Është gjithashtu jashtë funksionit.
Oxhaku shquhet mbi ndërtesat shumëkatëshe të ndërtuara vitet e fundit.
Në mes të qytetit të Korçës, rrënojat e Tecit kanë mbetur si një relikë e kohës së diktaturës.
Ish-kombinati i sheqerit në Maliq të Korçës është gjithashtu jashtë funksionit prej rreth 30 vitesh.
Është thuajse zero, mundësia për ti kthyer në efiçencë këto dhjetëra vepra të braktisura nëpër Shqipëri. Pavarësisht se patën një teknologji shumë të vjetëruar, disa prej veprave të ndërtuara gjatë socializmit mund të ishin kthyer efiçente në sistemin e ri.
Përvojën shqiptare të braktisjes dhe shkatërrimit nuk e gjen në vëndet e tjera të lindjes komuniste. Shumë prej veprave industriale i mbijetuan sistemit të ri të ekonomisë së tregut dhe vazhdojnë të jenë edhe sot efiçente.
Strategjia tërësisht e gabuar e zhvillimit të industrisë gjatë sistemit njëpartiak, është një ndër arsyet sipas Dashamir Shehit që sot Shqipëria është një vend plot me fantazmat industriale të diktaturës. Ai beson se është koha për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare.
Më qindra apo mijëra vepra industriale të ndërtuara nga një fuqi punëtore e skllavëruar, do të barazohej me zero në vitin 1990, kur dhe u rrëzua sistemi. Sepse të gjitha ato vepra rezultuan të ishin krejt pa vlerë për shkak të strategjisë së gabuar të udhëheqjes së partisë shtet. Në fundin e epokës komuniste, Shqipëria do të përjetonte dramën e madhe të varfërisë që vazhdon ta vuaj edhe sot si një ndër vendet më të varfra në Evropë. E tillë është historia e industrializimit të Shqipërisë. /Abcnews.al/