Dita e sotme, me raundin e parë të Kupës së Shqipërisë, regjistroi edhe startin zyrtar të sezonit të ri futbollistik. Nuk kishte surpriza në Kupë sot, me ekipet e mëdha, që fituan thellë ndeshjet e tyre. Partizani likuidoi me manita modestët e Ilirisë. Dygolëshi i Solomon dhe rrjetat e Asanit, Brojës e Cordeiros i dhanë fitoren e parë në ndeshje zyrtare Dajës në krye të stolit të Partizanit.
Gjatë këtyre muajve, kur pandemia mbizotëron jetën tonë, jemi mësuar të shohim vetëm ndeshje në qetësi të plotë dhe pa tifozë. Këta të fundit mungonin edhe sot në stadiumin e Librazhdit, por jo jashtë tij. Ultras Guerrils, të vendosur në një pjesë të ngritur në ambientet e jashtme të stadiumit, ishin të zjarrtë sot për të mbështetur ekipin e tyre të zemrës.
Dhjetëra tifozë ishin të pranishëm për të mbështetur të kuqtë, që nuk i zhgënjyen fansat e tyre. Partizani në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë do të ketë përballë Apoloninë, një kundërshtar më të fortë, ndaj të cilit do të duhet akoma më shumë mbështetja e tifozëve, sigurisht jashtë ambienteve të stadiumit prej protokollit të Covid-19. /abcnews.al