Gucati e Haradinaj në Hagë, Prokurori: Penguan proceduat, publikuan informacione konfidenciale

schedule11:38 - 7 Tetor, 2021

schedule 11:38 - 7 Tetor, 2021

Ka filluar gjykimi ndaj ish-kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetarit Nasim Haradinaj në Gjykatën Speciale në Hagë.

Me këtë rast Prokurori i Dhomave të Specializuara në Hagë, ka paraqitur faktet, që sipas tij, kanë lidhje me procedurën zyrtare të Dhomave të Specializuara dhe hetimeve të ZPS-së.

Ai ka thënë se në mes të prillit dhe shtatorit të vitit 2020, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kanë bërë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke i quajtur ata gënjeshtarë, bashkëpunëtorë e tradhtarë, shkruan Gazeta Express.

“Kjo sjellje tregon qartë edhe motivimin e tyre për të penguar dhe dëmtuar procedurat e Dhomave të Specializuara”, tha prokurori në fjalën e tij.

Më tutje, ai tha se midis 7 dhe 25 shtatorit, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, sekretari i OVL-UÇK-së Faton Klinaku si dhe Tomë Gashi, avokat i OVL-UÇK-së, bashkarishtë kanë shpërndarë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetime konfidenciale të ZPS-së.

“Inkurajuan të tjerë të shpërndajnë informacion konfidencial dhe jopublik dhe ndërmorën veprime të tjera për qëllimin e deklaruar të pengimin e punës së ZPS-së. Ky informacion konfidencial dhe jopublik përfshinte dokumente të shënuara si konfidenciale, emra dhe të dhëna personale të qindra dëshmitarëve të mbrojtur.”

Më tej, prokuroi përmendi edhe deklaratat e Gucatit dhe Haradinajt ku tha se publikisht konfirmuan se u kanë dhënë kopje të dokumenteve të nxjerra gjatë herës së parë edhe përfaqësuesve të shtypit.

“Zbuluan më shumë nga përmbajtja e dokumenteve të nxjerra gjatë herës së parë duke përfshirë hollësi të hetimeve konfidenciale. Deklaruan se në dokumente përmendeshin me emra dëshmitarë si dhe përmenden data dhe vende të kryerjes së intervistave. Akuzuan dëshmitarë të përmendur në dokumente se ishin tradhtarë, gënjeshtarë dhe spiun.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!