Guardia di Finanza: Gjatë 2021 u rritën sipërfaqet me kanabis në Shqipëri

schedule19:30 - 10 Dhjetor, 2021

schedule 19:30 - 10 Dhjetor, 2021

Në Shqipëri kultivimi i marijuanës rregjistroi shifra në rritje dhe gjatë vitit 2021. Të dhënat zyrtare nga fluturimet e kryera nga mjete të Guardia di Finanza-s italiane flasin për një shtim të ndjeshëm të sipërfaqeve të kultivuara

Shifrat u bënë të ditura gjatë një konference të përbashkët për shtyp të policisë shqiptare dhe Guardia di Finanza-s italiane. Janë mbi 37 hektarë të dyshuar se janë përdorur për të kultivuar cannabis sativa, sipërfaqja më e madhe që pas vitit 2016.

Një avion dhe një helikopter i Guardia di Finanza-s italiane realizoi 70 misione me 182 orë fluturimi, falë të cilave u zbuluan mbi 1.100 plantacione, ku më pas janë shkatërruar mbi 92 mijë rrënjë cannabis, nga 58 mijë që ishin një vit më parë.

Ndërsa në total, sipas të dhënave të policisë shqiptare, e cila nga ana e saj angazhoi dronë dhe një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes, janë 164 mijë rrënjë të shkatërruara kundrejt 137 mijë të zbuluara gjatë vitit të shkuar.

Përfaqësuesit italianë shpjeguan se kultivimi i cannabis sativa është spostuar nga jugu drejt zonave qendrore dhe veriore të vendit. Ata bënë të ditur megjithatë se gjatë këtij viti nuk është rregjistruar asnjë rast trafikimi i marijuanës drejt Italisë, ndërkohë që nuk kanë munguar rastet e zbuluara, drejt vendeve të tjera fqinj./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!