Qeveria e Venezuelës ka vendosur të dënojë tashmë ish kryetarin e parlamentit njëkohësisht liderin e opozitës Guaido. Ai duhet të qëndrojë larg çdo posti zyrtar në 15 vitet e ardhshme. Vendimi u mor pasi sipas qeverisë, stili i jetesës dhe shpenzimet e tij nuk përputhen me të ardhurat e një deputeti
Një teatër. Kështu e ka komentuar lideri i opozitës Huan Guaido vendimin e qeverisë venezueliane që e dënon atë të qëndrojë larg çdo posti zyrtar për 15 vjet.
Akuza që rëndon ndaj tij është se ai nuk ka deklaruar origjinën e fondeve për të paguar misionet jashtë vendit në fillim të mandatit të tij parlamentar. Bëhet fjalë për rreth 84 mijë euro.
Gjatë një mitingu në Karakas, Guaido u kërkoi venezuelianëve që të protestojnë sërish këtë të shtunë kundër presidentit Nikolas Maduro, i cili refuzon të japë dorëheqjen pavarësisht se nuk e ka më mbështetjen e parlamentit.
Lideri i opozitës u shpreh ndër të tjera se, populli nuk mund të gënjehej nga akuzat e rreme që i bëheshin atij.
Sipas vendimit të qeverisë, shpenzimet e Guaido dhe stili i tij i jetesës nuk përputheshin aspak me të ardhurat e një deputeti, dhe për këtë arsye presidenti Maduro e pezulloi atë nga posti i kryetarit të parlamentit.
Në këtë klimë të tensionuar, përfaqësuesja e lartë për politikat e jashtme në Bashkimin Evropian, dënoi vendimin e marrë nga Guaido duke kërkuar dhe një herë më shumë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të lira, transparente dhe të besueshme, sa më shpejt të jetë e mundur.
Ajo kërkoi gjithashtu dhe lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politikë.
Edhe pse energjia elektrike në vend është kthyer, shkollat vijojnë të qëndrojnë të mbyllura në pjesën më të madhe të vendit./abcnews.al