Grupi i dialogut për zgjedhoren/ Dashamir Shehi: Të vijohet puna, ligji të ndryshojë me themel. Basha gabon…

schedule13:19 - 8 Prill, 2024

schedule 13:19 - 8 Prill, 2024

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi thotë se grupi i dialogut për reformën zgjedhore, duhet të vazhdojë punën për të arritur rezultat.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Shehi u shpreh se ligji duhet të ndryshojë me themel.

Sipas Shehit, Lulzim Basha gabon duke mos shkuar në komision.

“Unë uroj që të ketë një rezultat. U bë zhurmë e madhe për këtë grup pune, i mbaroi mandati komisionit, uroj që ky grup pune të bëjë diçka. Nëse do ta harxhojnë kohën, siç e harxhuan, kam frikë se do të mbetet po ky ligj që është, ne kemi nevojë të ndryshojmë ligjin me themel. Të hapen listat, të votohet në mënyrë elektronike, këto janë propozimet tona. Të shikojmë se çfarë do të bëhet në këto ditët në vijim. Është ngritur një komision ad hoc, votat i kanë. Është Partia Socialiste dhe grupi më i madh opozitar, çfarëdo lloj justifikimi tjetër për të mos ndryshuar asgjë, rëndon politikisht mbi ta. Kemi kohë që e kërkojmë edhe votimin e emigrantëve.

Propozimet janë bërë ato që kemi bërë ne. Kemi një ndryshim, ata kërkojnë një zonë elektorale të përgjithshme, ne kemi kërkuar të bëhen 4 zona elektorale. Kjo e jona është më e thjeshta, nuk kërkon vota për të ndryshuar kushtetutën. Për mua kanë bërë gabim që nuk marrin pjesë. I takon të futen atje, të marrin pjesë. Duhet të marrin pjesë në komision zgjedhor. Këto po bëjnë atë që po bënte pala tjetër. Këto e kanë vendin atje për t’u futur. Nuk ka gjë më të rëndësishme se reforma zgjedhore përpara zgjedhjeve politike. Bëjnë gabim që nuk shkojnë atje”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!