Ish-kryeministri i Maqedonisë Gruevski ka akuzuar pushtetin se po përdor presion ndaj Gjykatave për dënimin e tij. Sipas ish kreut të VMRO-DPMNE-së, Gjykata do ta dënojë atë përpara referendumit për marrëveshjen e emrit.
Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski doli në një conference për shtyp në Kuvendin e Maqedonisë për të shprehur një shqetësim të tij. Ish-kreu i VMRO-DPMNE-së tha se gjykatësit duan që ta burgosin para Referendumit për marrëveshjen e emrit me Greqinë.
Nikolla Gruevski, Ish-Kryeminister i Maqedonisë: “Ju kam ftuar që të ndaj me ju shqetësimet e mia rreth ndodhive në Gjykatën Penale. Dua t’iu informoj se kam informacione se gjykatësit, për shkak të presioneve kanë vendosur që unë të burgosem për çështjen “Tanku”. Sipas informacioneve që posedoj, gjykatësit kanë marrë udhëzime nga instancat më të larta se si duhet të jetë vendimi për çështjen “Tanku”.
Ai shtoi se nuk bëhet fjalë për gjykatës të pazotë, përkundrazi bëhet fjalë për gjykatës me përvojë, por të cilët sipas tij, janë të shtypur nga presionet politike. Gruevski në konferencë për shtyp tha se është bërë propagandë e madhe kundër tij. Ish-kryeministri u përgjigj edhe për lajmet e fundit se ai e ka pranuar emrin “Maqedonia e Veriut” në vitin 2008, ndërsa tha se nëse do të pranonte një marrëveshje të tillë, sot situata do të ishte ndryshe. Ndërkohë, për çështjen “Tanku”, respektivisht për blerjen e një automjeti Mercedes prej rreth 600 mijë eurove, konsiderohen shpenzime të tepruara dhe Gruevski përballet me akuzën e shpërdorimit të buxhetit shtetëror. /abcnews.al