Të hënën në mbrëmje, pak çaste para skadimit të afatit, ekipi i avokatëve të ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka dërguar kërkesë deri tek Gjykata Penale që t’i shtyhet vuajtja e dënimit prej dy viteve burg.
Gruevski kërkon që për tre muaj t’i shtyhet vuajtja e dënimit, ndërsa si arsyetim për këtë ka theksuar se ka obligime si deputet, por edhe rreth doktoraturës së tij. Por gjatë së hënës Kuvendi pranoi kërkesën e Gjykatës për heqjen e mandatit të tij si deputet.
Gjykata për zbatimin e sanksioneve ka afat deri të enjten t’i përgjigjet kërkesës së avokatëve. Ish-kryeministri u dënua me dy vite burg për shkak të shpërdorimit të fondeve publike në blerjen e një automjeti të blinduar për 600 mijë euro. Ai duhet të paraqitet në burgun e Shutkës më 8 Nëntor./abcnews.al