Një grua në Australi u zgjua pas dhimbjeve që po ndjente në sy. Në momentin që i doli gjumi, një ulërimë e fortë përfshiu të gjithë shtëpinë. Gruaja zbuloi se një mi, ndër miliona që kanë pushtuar aktualisht tokën australiane, ishte duke i ngrënë syrin.
Australia është duke u përballur me një situatë të pazakontë sa i përket shtimit të beftë të numrit të minjve në vend. Mijëra fermerëve u janë shkatërruar të mbjellat, ndërsa të tjerë refuzojnë të merren me bujqësi aktualisht deri në përfundimin e asaj që qeveria australiane e ka quajtur si “murtaja e minjve”.
Miliona syresh kanë pushtuar zona të mëdha të vendit duke shkatërruar gjithçka që gjejnë para, ndërsa qytetarët ndjehen të frikësuar. Autoritetet i tremben gjithashtu shpërndarjes së sëmundjeve nga minjtë e shumtë që gjenden në vend, raporton abcnews.al.
Ekspertët e lidhin këtë numër të pazakontë minjsh me reshjet e shumta të vitit të shkuar, të cilat sipas tyre ndikuan në shtimin e popullatës së minjve.
Autoritetet vlerësojnë se qeverisë tashmë do t’i duhet të luftojë dy vjet me minjtë për të rikthyer situatën në normalitet.