Europa është vënë në lëvizje pas deklaratave të Donald Trump se ai kërkon që të bëjë Groenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara. Franca po punon me aleatët për një përgjigje në rast se Uashingtoni zbaton kërcënimin për të pushtuar Groenlandën.
Ministri i Jashtëm i Francës, Zhan Noël Barro, tha se ai dhe homologët e tij nga Polonia dhe Gjermania do të koordinohen për veprimet që do të ndërmarrin.
Diplomati francez mbajti më herët një telefonatë me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, I cili përjashtoi mundësinë e një pushtimi.
Rubio gjithashtu raportohet t’u ketë thënë ligjvënësve në një takim me dyer të mbyllura, se kërcënimet e fundit të administratës kundër Groenlandës nuk sinjalizojnë një pushtim të afërt dhe se qëllimi është blerja e ishullit nga Danimarka.
Nuk është e qartë nëse Rubio thjesht po tentonte të qetësonte ligjvënësit, por administrata Trump ka sinjalizuar prej kohësh se ka kërkuar të bindë Danimarkën të dorëzojë kontrollin e Grenlandës, ishullit më të madh në botë. Zyrtarët amerikanë dhe evropianë thonë se nuk kanë parë shenja se Shtëpia e Bardhë po përgatit një pushtim ushtarak të Grenlandës.
Kreytari I republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Mike Johnson, një nga mbështetësit më të vendosur të Donald Trump, reagoi gjithashtu për zhvillimet e fundit, dhe tha se veprimet ushtarake në Groenlandë do të ishin të papërshtatshme.
Trump ka përsëritur ditët e fundit se dëshiron të fitojë kontrollin e Grenlandës, një ide e shprehur për herë të parë në vitin 2019 gjatë presidencës së tij të parë. Ai ka argumentuar se është çelësi për ushtrinë amerikane dhe se Danimarka nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur atë.
Groenlanda nuk është një anëtare e pavarur e NATO, por mbrohet nga anëtarësimi i Danimarkës në aleancën veriatlantike.
Disa vende në të gjithë Evropën kanë shprehur mbështetje për Groenlandën dhe Danimarkën pas kërcënimeve të vazhdueshme të Donald Trump për të aneksuar territorin.
Udhëheqësit evropianë, përfshirë Keir Starmer dhe Emmanuel Macron, lëshuan një deklaratë të përbashkët duke thënë se Groenlanda i përket popullit të saj.


