Gripi i shpendëve, a duhet të shqetësohemi? Flet mjeku Gent Stroni: Kur rrezikohemi

schedule19:04 - 7 Qershor, 2021

schedule 19:04 - 7 Qershor, 2021

Nga Ema Shazivari

Shqipëria ka bllokuar së fundmi importin e pulave me Kosovën dhe Greqinë. Kjo pas konfirmimit të rasteve me grip shpendësh në këto shtete, duke e çuar në 17 numrin e vendeve që i është vendosur embargo.

Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve, thotë për ABC, se janë marr një sërë masash, për të parandaluar ardhjen e këtij gripi.

“Aktualisht nuk kemi asnjë rast të konfirmuar. Nuk mjafton vetëm mbyllja e kufirit, por edhe gjurmim epidemiologjik. Shërbimi veterinar është vigjilent” tha ajo.

Mjeku infeksionist Gent Stroni, nuk e cilëson si të rrezikshme situatën aktuale. Sipas tij, shpejtësia e përhapjes nuk është në nivele shqetësuese. Thotë se problemi real i virusit, ndodh kur transmetueshmëria bëhet nga njeriu tek njeriu.

“Problematika qëndron kur kthehet në një grip ose në një infeksion që transmetohet nga një person te tjetri, kjo është problematikë e madhe, sepse kthehet mes njerëzve. Përsa kohë që transmetimi është nga pulat te njeriu janë raste që u ndodh personave që merren me pulat” tha ai.

Importin më të madh të mishit të shpendëve, Shqipëria e ka me Brazilin, mirëpo edhe Kosova e Greqia janë vende të rëndësishme.

Në muajin janar Shqipëria firmosi një urdhër ku u ndalonte importin vendeve si Polonia, Sllovakia, Çekia, Hungaria, Gjermania, Ukraina, Bullgaria, Rumania, Belgjika, Kroacia, Danimarka, Franca, Holanda, Lituania dhe Izraeli. d.b/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!