Ish-emisari i SHBA-ve për Kosovën e Serbinë, Richard Grenell, i është kundërpërgjigjur ish-komandantit të forcave amerikane në Evropë, Mark Hertling, që e quajti “ilegale” vizitën e tij në Kosovë dhe cilësimin që më pas të njëjtës ia bëri ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
Grenell në një postim në Twitter ka thënë se edhe Trump, e edhe Biden kanë të njëjtën politikë në marrëveshjet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan lajmi.net.
“Mark Hertling nuk e di se Biden dhe Trump kanë të njëjtën politikë për Marrëveshjet Ekonomike Kosovë-Serbi… e cila shtron pyetjen: pse Mark mendon se avokimi i politikës amerikane është i paligjshëm? DC e bën gjithçka partizane”, ka shkruar Grenell.
Vizitë e Grenellit në Kosovë u përcoll me polemika të shumta, të cilat u ngjallën edhe në SHBA.
Kjo pasi ish-presidenti Trump lëshoi mbrëmë një deklaratë duke iu referuar Grenellit si “ambasador” të tij.
Pas kësaj, nga mediat ndërkombëtare u raportua edhe për një reagim jo-zyrtar nga vet Shtëpia e Bardhë.