Gravina për Serie A: Edhe faza play-off një mundësi, shqetësimi ynë është tjetër

schedule09:38 - 16 Maj, 2020

schedule 09:38 - 16 Maj, 2020

Seria A mbetet në udhëkryq. Protokolli sanitar i detyron klubet të plotësojnë shumë kushte, ndërkohë që nga ana tjetër, nëse një futbollist, apo pjesëtar stafi, del pozitiv me COVID-19 në vazhdim, atëherë i gjithë ekipit duhet të izolohet. Praktikisht kjo i jep fund garës në kampionat.

Gjermania ka vendosur ndryshe dhe vetëm i infektuari izolohet. Në lidhje me gjithçka ndodh, presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, është shprehur që duhet eliminuar tensioni dhe të arrihet një marrëveshje për rifillimin e kampionatit.

“Ka vështirësi. Duhet të lejojmë një ndryshim në protokoll, së bashku me Spadafora dhe Speranza, i cili mund ta kthejë stërvitjen individuale në kolektive. Na shqetëson shumë çështja tjetër, që nëse del dikush pozitiv, atëherë i gjithë ekipi futet në karantinë.

Është një çështje për të cilën ne përballemi me vendosmëri, por nga ana tjetër mundohemi të shmangemi një marrëdhënie të stresuar, që sjell tensione dhe bëhet pengesë për rikthimin e sezonit”, shprehet Gravina, i cili më tej pyete edhe për një opsion tjetër për përfundimin e garës.

“Ideja e ndeshjeve play-off? Mund të jetë një mundësi, nuk është hedhur poshtë. Duhet të jemi gati për çdo lloj opsioni. Tani ekziston mundësia që Serie A të rinisë më 13 qershor me një kalendar të ngjeshur. Sidoqoftë ne duhet të jemi gati për gjithçka, ndaj edhe po shohim edhe për opsione të tjera, siç janë edhe ‘play-off’-et”, mbyll Gravina. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!