Te kombëtarja vuan për të gjetur hapësirat që kërkon, port e Granada është një lider i vërtetë.
Jo më kot klubi spanjoll kërkon të blindojë Myrto Uzunin, që me lojën dhe golat e tij po ndihmon skuadrën të ngjitet sërish në La Liga.
Në këtë sezon ai numëron tetë rrjeta, 44 në total në 100 ndeshje të luajtur me Granada dhe vetëm 1 larg rekordit si realizuesi më i mirë në historinë e klubit.
Numra të rëndësishëm, që kanë tërhequr vëmendjen e skuadrave më të mëdha të futbollit iberik.
Për këtë arsye, sipas mediave spanjolle, Granada synon të rinovojë kontratën me Uzunin.
Ajo aktuale skadon në qershor të vitit 2026 dhe parashikon një klauzolë 25 milion euro për prishje të njëanëshme të kontratës.
Kjo shifër konsiderohet e lehtë për t’u paguar dhe për këtë arsye klubi spanjoll kërkon të zgjasë kontratën të paktën edhe me një vit tjetër, duke rritur edhe shifrën e klauzolës.
Po ashtu, duke qëndruar në atë që raportojnë mediat në vend, për të bindur sulmuesin shqiptar të firmosë, do t’I ofrohet në kontratën e re edhe një rritje e ndjeshme e të ardhurave personale.
Një situatë kjo, krejt e ndryshme me atë që Uzuni jeton në kombëtaren e Shqipërisë, ku në rastin më të mirë konsiderohet si një zgjedhje e dytë nga trajneri Silvinjo.