Gjykata e Krimeve të Rënda cakton masën e sigurisë arrest me burg për Hasan Kanaçin, të arrestuarin e shtatë për grabitjen e bujshme të Rinasit, ku u morën nga një grup i armatosur kriminal rreth 6.5 milionë euro.
Gjatë seancës së sotme, Kanaçi ka qënduar i heshtur para gjykatës, duke mos dhënë asnjë detaj në lidhje me grabitjen e 9 Prillit në Rinas. Ai mësohet të ketë deklaruar në gjykatë se nuk ka asnjë lidhje me grabitjen e bujshme.
Fundjavën e kaluar Hasan Kanaçit iu gjet në shtëpi një shumë prej më shumë se 100 mijë eurosh. 48-vjeçari Hasan Kanaçi, punonjës i aeroportit “ Nënë Tereza” që dyshohet si bashkëpunëtor në vjedhjen e 6 milionë eurove.
Kanaçi merrej me ngarkimin e valixheve në avion dhe dyshohet se ai i ka dhënë informacion bandës së grabitjes. Të përfshirë në supergrabitje dyshohet të jenë edhe persona të tjerë që punonin në aeroport.
Përpos Hasan Kanaçit, të arrestuar janë dhe Renaldo Sula, Sajmir Çela, Alkond Bengasi, Oltion Veseli, Elton Pikli dhe Ragip Hajdini. Ndërsa në kërkim zyrtarisht për grabitjen janë dy vëllezërit Eldi dhe Klement Çala si edhe Talo Çela.
Pas grabitjes në Rinas u vra në shkëmbim zjarri me policinë Admir Murataj, që dyshohet se ka qenë truri i supergrabitjes në aeroport./ABC News Albania 24/7