Robin Gosens debutoi me skuadrën e Interit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë përballë Milanit, sfidë e cila u mbyll në barazim 0-0 me dy skuadrave, në “San Siro”.
Në një intervistë, anësori gjerman i zikaltërve ka treguar për debutimin e tij në derbi, pas një dëmtimi që e mbajti larg fushave disa muaj.
“Ishte një moment që kisha kohë që e prisja. U riktheva në fushë pas një dëmtimi që më mbajti larg thuajse 5 muaj dhe luajta për herë të parë me këto ngjyra. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, por do të mbetet një moment i veçantë, plot me emocione”, ka thënë anësori gjerman.
“Te Interi kam gjetur një ambient të mirë. Ka lojtarë të rëndësishëm, që janë shumë të afrueshëm. Grupi është i fortë dhe punohet për shumë objektiva.
Janë të shumtë gjermanët që kanë bërë histori këtu, më vjen në mendje Andy Brehme, sepse ka luajtur në një rol të ngjashëm me timin. Kam arritur deri këtu falë punës dhe jam krenar që kam firmosur me një klub të madh si Interi”, ka thënë Gosens. /f.a/abcnews.al