Topin e ndeshjes e mori me vete. Ajo që mendohej si thuajse e pamundur u realizua në “Santiago Bernabeu”, sepse lojtari I ndeshjes u shpall një 21-vjeçar që as nuk ishte menduar se do të luante.
Gonzalo Garsia u aktivizua në sfidën e La Ligës, Real-Betis, sepse ishte i dëmtuar titullari dhe ylli kryesor Kilian Mbape, pra mund të thuhet se ai hyri në fushë në majë të gishtave.
Gjithsesi, pasi shënoi tre gola I vendosi mirë këmbët në tokë, dhe këpucët e tij me taka pritet t’u japin tifozëve madrilenë kënaqësi të tjera edhe më të mëdha.
Pas shkëlqimit vjen edhe lavdia, vijnë hosanatë dhe komplimentet. E përditshmja madrilene, “Marka”, I kushton yllit të Akademisë së Realit një shkrim të veçantë dhe miklues që në titull.
“Është kaq shumë pak e mundur që një yll futbolli të jetë daltonik, të ketë një vëlla binjak, dhe të ketë lindur në 29 shkurt. Pra, kanterani “merenges” mund ta festojë ditëlindjen siç duhet vetëm një herë në katër vjet.
Pritshmëritë për Gonzalon janë të mëdha, ashtu si për çdo talent që nxjerr Akademia që mbiquhet “La Fabrika”. Gjithsesi, trajneri Shabi Alonso nuk ia ka dhënë mundësinë aq shumë, ndonëse e ka aktivizuar shpesh.
Njëzetenjëvjeçari ka luajtur në 14 ndeshje të kampionatit spanjoll, edhe pse vetëm në 11 për qind të rasteve ka qenë titullar dhe ka luajtur vetëm 15 për qind të minutave. Sidoqoftë, vëllai binjak me ditëlindje në 29 shkurt është për momentin në qiellin e shtatë dhe e sheh të ardhmen me optimizëm dhe me ngjyra krejtësisht rozë./abcnews.al


