Mbrëmja e djeshme ishte për t’u harruar për Real Madridin pas asaj humbjeje 4-1 në transfertën e Valencias. Tre penallti, një autogol dhe një lojë jo e mirë nga të besuarit e Zinedine Zidane, të cilët tashmë e shikojnë vendin e parë (Real Sociedad) katër pikë larg. Pas ndeshjes pati një reagim dhe nga Thibaut Courtois, i cili nuk di se si të shpjegojë humbjen e thellë.
“Tre penallti kundër, te goli i dytë ishim të pafat. Nuk e di e filluam mirë sfidën, por ndonjëherë na ndodh që kur nuk luajmë të gjithë si ekipi, pësojmë shumë mbrapa. Valencia nuk krijoi asnjë mundësi. Penalltia e parë ishte, por nuk e di përse u përsërit.
Goli i dytë më pas erdhi si pasojë e një gabimi që bëmë, por kur filloi pjesa e dytë ne ishim të motivuar për ta përmbysur rezultatin”, tregon gardiani belg.
“Unë bëra një pritje, e cila përfundoi në shtyllë dhe më pas erdhën dy penallti të tjera. Maxi Gomez ulërinte më shumë me kalimin e minutave dhe VAR akordonte 11-metërsh. Madje te goli i dytë ishte një faull ndaj Asensios, të cilin unë e mësova kur ishim në dhomat e zhveshjes, por aty nuk mund të bësh asgjë.
Ne i kishim shanset tona, por topi nuk donte të shkonte në rrjetë. Tashmë po sulmojmë më shumë, por si pasojë ka shumë hapësira mbrapa. Duhet të tregohemi më të kujdesshëm dhe të bashkuar siç bëmë pas karantinës, në mënyrë që të mos pësojmë gola nga topa të gjatë, si ai kundër Huescas”, përfundon Courtois. /abcnews.al