Goli në “gjak”/ Shpendi shënon sërish në Serie B, sulmuesi ka 3 gola në vetëm 4 ndeshje në ligën e dytë

schedule16:16 - 14 Shtator, 2024

schedule 16:16 - 14 Shtator, 2024

Për të thuhet se e ka “golin në gjak”.

Kristian Shpendi është nga ata lojtarë të lindur si sulmues, që nuhatja nuk i braktis kurrë para portës.

“Ylli” i Shpresave shqiptare realizoi sërish në Serie B të Italisë, në një ndeshje tepër të fortë në fushën e Cesena.

Skuadra mike, Modena, kaloi në epërsi në pjesën e parë, por vendasit përmbysën rezultatin pa mbërritur deri te pushimi, teksa Bastoni realizoi për barazimin 1-1, ndërsa Shpendi shënoi për 2-1 nga pika e penalltisë, pikërisht në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë.

Futbollisti i Shqipërisë U21 vazhdon me formën që kishte sezonin e kaluar, kur shkëlqeu fort dhe fitoi “Këpucën e Artë” në Serie C.

Edhe pse luan një kategori më lart, kjo nuk e ka penguar dhe Shpendi deri tani ka 3 gola në vetëm 4 ndeshje që ka luajtur këtë edicion.

Ai shkëlqeu në javën e parë të Serie B, në sfidën që Cesena e fitoi 2-1 ndaj Carraresse, duke shënuar të dy golat.

Edhe pse nuk arriti ta siguronte këtë verë Serie A, Kristian Shpendi i ka të gjitha mundësitë për të arritur në elitën e futbollit italian dhe kjo mund të ndodhë në rast se Cesena siguron ngjitjen ose duke marrë oferta nga skuadra të tjera. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!