Dinamo Zagreb fitoi 2-0 ditën e djeshme kundër Hajduk Split. Goli i dytë për kampionët në fuqi u shënua nga Lirim Kastrati, i cili numëron 4 gola dhe 6 asiste këtë sezon me rekordmenët e futbollit kroat.
Në një rrëfim për mediat vendase, sulmuesi i Kosovës ka prekur disa tema, duke e nisur me golin e realizuar në derbin e Kroacisë, aventurën tek ekipi kryeqytetas, të kaluarën e tij dhe fshatin Hogosht, si dhe këshillën që i dha dikur Mario Budimir.
“Unë ndihem gjithmonë mirë kur shënoj gol, por rëndësi ka që fituam. Është ndjesi e veçantë të shënosh ndaj Hajdukut, ndeshjet ndaj tyre janë si derbi. Për shkak të kësaj, ne stërvitemi shumë për të qenë gati dhe për të shfrytëzuar mundësinë që na jepet. Ndaj Hajdukut treguam se çfarë jemi në gjendje të bëjmë, ndodhemi në rrugën e duhur.
Babai dhe vëllai im qerasën gjithë fshatin në momentin që u transferova te Dinamo, të njëjtën gjë do të bëj edhe unë kur të kthehem në Hogosht. Pavarësisht se ku ndodhem dhe me cilin ekip luaj, kurrë nuk do të më vijë turp për të kaluarën time.
Nuk do e harroj kurrë se kush jam dhe nga vij. Jam krenar për rrënjët e mia, ruajtja e lopëve ka qenë pjesë e jetës time. Familja ime merret me një gjë të tillë, e bëja edhe unë përpara se të bëhesha futbollist profesionist.
GOL 35′ Lirim Kastrati, Dinamo Zagreb – Hajduk 2-0
? @DardanianFooty pic.twitter.com/jq4b9PfBpU
— TopSporti (@topsportinews) April 25, 2021
Përballja me ujqit? Fshati im ka plot të tillë, kështu është jeta atje. Unë nuk i kam frikë ujqit, jam mësuar me ta që kur isha i vogël. Kisha gjithmonë lopë dhe qen të mëdhenj me vete, kështu që nuk kisha aspak probleme“, deklaron Kastrati, i cili kapi shpejtësinë 36.36 km/h gjatë një ndeshje, duke ia kaluar Gareth Bale (36.57).
“Ndodhi gjatë një ndeshje me Slaven Belupo, por tani jam te Dinamo dhe duhet të jem edhe më i shpejtë. Para meje ka luajtur Rrahmani këtu, kam biseduar me të. Jam i kënaqur pasi shokët e skuadrës më pritën shumë mirë kur erdha këtu.
Në Hogosht të gjithë janë të lumtur dhe krenar për mua. Të gjithë më ndjekin, pasi jam i vetmi nga fshati që luaj jashtë Kosovës. Ndryshimi i vetëm është që ata tani mbështesin Dinamon në vend të Lokomotivës. Presioni? Sigurisht që te Dinamo presioni është i madh.
Unë jam një person që ia shtoj gjithmonë presionin vetes, nuk kënaqem kurrë me atë që kam arritur. Nuk ka nevojë të më thotë trajneri nëse kam luajtur mirë apo keq“, thekson Kastrati, i cili e mbyll prononcimin me këshillën që i dha Mario Budimir kur ishin pjesë e Lokomotivës.
“E kam shok të ngushtë, dilnim shpesh së bashku kur ishim te Lokomotiva, pasi ndanim të njëjtën dhomë. Ai më tha njëherë se duhet të kaloja te Dinamo nëse doja të bëja një karrierë të madh. Shumë herë uleshim dhe ai më fliste për ndeshjet e mia.
Më tregonte gjërat pozitive dhe negative, diskutimet zgjasnin edhe nga një orë. E falënderoj nga zemra, nuk i harroj kurrë këshillat që më ka dhënë“, përfundon sulmuesi dardan në lidhje me sulmuesi shtatlartë kroat. /abcnews.al